E Shtunë, 31 Tetor 2026

Donte para për drogë, hedh djalin nga ura

Babai ka tentuar të vrasë fëmijën e tij 2 vjeç, duke e hedhur nga ura e trenit, në periferi të qytetit të Shkodrës. Për fat, fëmija ka shpëtuar vetëm me një frakturë, ndërsa babai kriminel po kërkohet nga policia. Krimineli quhet Eduard Xhoka dhe deri në mbrëmje vonë nuk është mundur të arrestohet, duke alarmuar policinë, për shkak të rrezikshmërisë së tij.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:30 në dalje të Shkodrës, në vendin e quajtur "Ura e Thive", urë në të cilën kalon dhe linja hekurudhore Shkodër-Tiranë. Dëshmitarët okularë kanë lajmëruar menjëherë policinë dhe i kanë dhënë ndihmën e parë fëmijës.

Dëshmitari
Sandër Llezhi është një nga personat që pa dje ngjarjen. Ai tha: "Dëgjova të bërtitura. Dukej si një shamatë mes dy njerëzve, kur pashë në urë një burrë me trup mesatar që mbante një fëmijë në dorë dhe po i bërtiste një gruaje në moshë. Nuk u afrova, por nga larg dukej shumë i acaruar diskutimi. Nuk kaluan më shumë se dy minuta kur burri e nxori fëmijën jashtë parmakëve të urës dhe vazhdonte t‘i fliste gruas në moshë. Pak më tutje qëndronte një burrë pranë një taksie. Ishte një pamje që e kisha parë vetëm nëpër filma. Kuptohej se burri po i kërcënonte duke u thënë se do e hidhte fëmijën. Në atë moment u afruam unë dhe disa të tjerë, sepse shikonim e dëgjonim fëmijën që qante, ndërsa plaka thërriste për ndihmë. Nuk vonoi dhe ai e hodhi fëmijën në tokë. Ishte e pabesueshme. Vrapuam për t‘i dhënë ndihmë fëmijës, i cili ra pa ndjenja dhe nuk jepte shenjë jete. E nisëm për në spital, pastaj pashë disa djem që tentuan të vraponin për të kapur të çmendurin që hodhi fëmijën. Nuk e dinim që ishte i ati, por ai mundi të largohej. Sapo e dërguam në spital, mjekët i dhanë ndihmën e parë dhe për fat fëmija shpëtoi vetëm me një frakturë në këmbë".

Nëna
Gazeta "Shqip" ka arritur të sigurojë dje dëshminë e Tone Xhokës, nënës së personit që tentoi të vriste fëmijën e tij. Ajo thotë: "Djali është i ndarë nga nusja dhe ishim me taksi duke e dërguar fëmijën te nëna e tij. Ishim brenda në taksi dhe kisha vetëm 300 lekë të reja, se aq kushton taksia. Rrugës, djali më kërkoi lekë, besoj se i donte për të blerë drogë, pasi ishte përdorues i rregullt. I thashë që kisha lekë vetëm për të paguar taksinë, por ai më tha t‘i jepja ato lekë që kisha. Nuk pranova dhe atëherë mori djalin dy vjeç, i tha taksistit të ndalonte kur ishim tek ura e trenit dhe doli jashtë bashkë me fëmijën, duke e nxjerrë te parmakët e urës. Nuk ma merrte mendja kurrë se do e bënte një gjë të tillë dhe u mundova t‘ia mbush mendjen. Por nuk vonoi dhe hodhi fëmijën poshtë dhe iku".

Policia
Policia e Shkodrës sqaroi se personi që ka hedhur fëmijën dy vjeç nga ura është shtetasi Eduard Xhoka, 35 vjeç, përdorues i rregullt drogash të forta dhe i divorcuar. Burime konfidenciale pohuan për "Shqip" se bëhet fjalë për një person me rrezikshmëri të lartë, pasi gjendja e tij psikologjike është e paqëndrueshme.
Policia ka ngritur postblloqe të shumta në hyrjet dhe daljet e qytetit të Shkodrës, me qëllim kapjen e babait që tentoi të vrasë fëmijën e tij. Deri në mbrëmje vonë nuk ka pasur asnjë informacion për vendndodhjen e të kërkuarit dhe policia ka qëndruar në gatishmëri të lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›