Operacioni Era e Jugut, me dy aksione asgjësohen 500 rrënjë bimë narkotike

Gjirokastër, 21 korrik, NOA Në kuadrin e operacionit të koduar Era e Jugut, me përfundimin e fazës investiguese për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike kanë nisur aksionet asgjësimin e parcelave të evidentuara.
Buirmte policore të Gjirokastrës bëjnë me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA se gjatë kontrollit të ushtruar në stanin e Thanas Guxos, përballë fshatit Derviçan në vendin e quajtur Hangarët e Barutës, në një parcelë brenda rrethimit të këtij stani janë gjetur të mbjella 380 rrënjë të dyshuara si bimë narkotike Kanabis Sativa.
Këto bimë ishin mbjellë me gropa të rregullta , ku në çdo gropë kishte nga 1 deri në 3 rrënjë bimë dhe gjatësia e tyre varionte nga 50 centimetra deri në 150 centimetra të larta .
Në momentin që forcat e policisë kanë shkuar për të bërë kontroll është gjetur në vendngjarje 52-vjeçari Thanas Guxo, lindur dhe banues në fshatin Derviçan të komunës Dropulli i Poshtëm të Gjirokastrës i cili ka tentuar të largohet, por është arrestuar në flagrancë nga ana e policisë për veprën penale të Kultivimit të bimëve narkotike, parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal.
Ndërkaq, bëhet e ditur se po nën operacionin e koduar Era e Jugut janë asgjësuar edhe 120 rrënjë bimë të dyshuara si kanabis sativa në fshatin Dukaj të Tepelenës, konkretisht në banesën e Arjan Brahas.
Si rezultat i këtij kontrolli u konstatuan të mbjella në baçen e shtëpisë së tij 120 rrënjë bimë të dyshuara si Kanabis Sativa, të cilat varionin nga 130 centimetra deri në 3 metra të larta .
Në momentin që policia ka bërë kontroll shtetasi Arjan Braha nuk është gjetur në shtëpi, por është gjetur vetëm motra e tij, e cila është e sëmurë nga depresioni.
Nga ana e policisë janë kryer të gjitha veprimet e para proceduriale dhe hetimore dhe u bë shpallja në kërkim e Arjan Brahas për veprën penale të Kultivimit të bimëve narkotike, parashikuar nga neni 284 I Kodit Penal .
n.e/NOA