Incesti brenda familjes, dyshimet e para, nga murgeshat
LEZHË/ 64-vjeçari është shprehur se akuza vjen pas mosmarrëveshjeve me të bijat.
Disa murgesha pohojnë dyshimet
LEZHË - Nuk ka pranuar absolutisht asgjë nga denoncimi i të bijave, ndërsa e ka cilësuar një veprim të tillë thjesht si hakmarrje të vajzave për mosmarrëveshjet që kishin në shtëpi. Por dyshimet për incestin janë pohuar edhe nga disa murgesha të një qendre rehabilitimi. Babai 64-vjeçar, i denoncuar nga e bija për përdhunim ka mohuar ta ketë kryer diçka të tillë. 24 orë pas arrestimit P.D. nga fshati Tale e Lezhës ka mohuar akuzën e ngritur ndaj tij për incest me të bijën. Ai ka deklaruar se denoncimi nga vajzat është i qëllimshëm për ta diskretituar atë personalisht, pasi ka pasur mosmarrëveshje në vazhdimësi.
Por ka qenë ekspertiza mjeko-ligjore e kryer mbi të dhunuarën që ka hedhur poshtë pretendimet dhe këmbënguljen e kryefamiljarit për pafajësi, duke vërtetuar incestin. Kjo ka nxitur edhe urdhrin për kryerjen e një ekzaminimi gjinekologjik të 64-vjeçarit, që vërteton kryerjen e marrëdhënieve seksuale prej tij.
Policia ka vendosur që vajza 21-vjeçare të dërgohet në një qendër rehabilitimi për të kaluar edhe traumat psikologjike dhe fizike të pësuar nga dhunimi seksual prej të atit. 64-vjeçari rezulton të ketë qenë i dënuar më parë me 15 vjet heqje lirie për vrasje, ndërsa në vazhdimësi kërcënonte të bijat.
Dyshimet
Nga të dhënat e para ka rezultuar se vajza e 64-vjeçarit frekuentonte një qendër rehabilitimi pranë një qendre katolike, pasi murgeshat kërkonin që ajo të shkonte pranë tyre, pasi kishin dyshime në lidhje me incestin, por në të gjitha rastet vërtetimi ka qenë thuajse i pamundur.
Ndonëse vajza është pyetur në qendër për ndonjë gjë që nuk shkonte në familjen e saj, ajo nuk ka mundur të pranojë diçka të tillë sa nga frika, aq edhe opinioni. Dyshimet kanë ardhur gjithnjë duke u shtuar, ndërsa një fakt i tillë tepër tragjik nuk është kapërdirë nga nëna e vajzës, e cila në pamundësi për të gjetur zgjidhje i kishte dhënë fund jetës katër muaj më parë.
Dëshmitë
Ngjarja tronditëse ka shokuar edhe banorët e zonës, të cilët dënojnë aktin e babait 64-vjeçar që dhunonte seksualisht vajzën e tij.
Sipas banorëve, incesti brenda familjes është një krim i shëmtuar ndaj në të tilla raste dënimet duhet të jenë maksimale. Për kryefamiljarin, banorët shprehen se ai nuk të jepte përshtypjen e një maniaku, por e vërteta tashmë duket sheshit.
Po sipas këtyre banorëve, vajza e tij ka qenë tip i mbyllur dhe qëndronte vazhdimisht në shtëpi. Sot pritet që të merret edhe masa e arrestit për 64-vjeçarin ku ai do të përballet me dy akuza: "kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë brenda gjinisë" dhe "nxitje në vetëvrasje" të bashkëshortes së tij, e cila dyshohet se është vetëhelmuar pasi ka parë me sytë e saj dhunimin seksual që i shoqi i bënte së bijës.