Shpërthim në gurore, vdes roja
PAKUJDESIA/ Zef Simoni ka ndërruar jetë në orët e vona të pasdites i goditur nga gurët pas shpërthimit me tritol
Policia ka shoqëruar pronarin e gurores, ndërsa dyshohet se shpërthimi nuk është kryer sipas parametrave të duhur
LEZHË - Një shpërthim i fuqishëm gjatë punës në një gurore private vetëm pak metra larg fabrikës së çimentos që po ndërtohet në fshatin Gocaj të Lezhës ka plagosur rëndë dy roje objekti, njëri prej të cilëve ka gjetur vdekjen në spitalin rajonal të Lezhës si pasojë e plagëve të rënda. Gjithçka ka ndodhur në orët e vona të pasdites, ndërsa policia ka shoqëruar pronarin e gurores. Deri në orët e vona ende nuk kishte një akuzë të ngritur për të.
Ngjarja
Zef Simoni, 58 vjeç, dhe Pal Gjini, 55 vjeç, që të dy roje pranë fabrikës së çimentos që po ndërtohej kanë qenë në vendin e tyre të punës kur kanë dëgjuar një shpërthim të fuqishëm dhe menjëherë pas tij kanë parë gurë të mëdhenj që binin ngado.
Nga presioni i madh i shpërthimit me tritol, gurët që janë përhapur, kanë goditur në pjesën e kokës dy rojet e objektit, të cilët janë transportuar menjëherë për në spitalin rajonal të Lezhës. Por plagët e mëdha që kishte marrë 58-vjeçari Simoni i kanë kushtuar atij jetën, ndërsa Pal Gjini kolegu i tij është transportuar për në spitalin ushtarak të Tiranës në gjendje të rëndë.
Shpërthimi ndodhi rreth orës 19:00 të së hënës, kur punonjësit e gurores kanë vendosur një sasi të madhe eksplozivi për të kryer një shpërthim në brendësi të malit, çka do t'iu jepte mundësi vazhdimin e punës për të nxjerrë inerte të ndryshme. Mbushja e grykës në pjesën ku do të kryhej shpërthimi dyshohet se nuk është kryer ashtu siç duhet, dhe gjatë shpërthimit të eksplozivit, ajo është hapur duke nxjerrë sasi të mëdha gurësh.
Rojet e objektit të fabrikës së çimentos nuk kanë qenë në dijeni të këtij shpërthimi të madh, i cili kryhej vetëm 300 metra në vijë ajrore nga vendroja e tyre. Ata janë zënë në befasi nga ky shpërthim në mal dhe janë goditur rëndë nga gurët e përhapur ngado. Pasi ka përfunduar ekzekutimi i këtij shpërthimi nga punonjësit e gurores, rojet e plagosura kanë kërkuar ndihmë dhe janë transportuar menjëherë nga kolegët e tyre.
Hetimi
Sipas dëshmive të para është deklaruar se oraret e pasdites janë zgjedhur për të kryer shpërthimin, pasi punonjësit që punojnë pranë fabrikës në ndërtim e sipër nuk ndodhen në punë dhe nuk ka lëvizje automjetesh. Plagosja e rojeve private ka qenë aksidentale, dhe ka ardhur si pasojë e pakujdesisë dhe mosinformimit të saktë për mënyrën e shpërthimit. Gurorja dhe fabrika e çimentos ndodhen pranë rrugës që të çon në Gjadër të Lezhës, megjithatë përgjatë kësaj rruge nuk ka asnjë shenjë që informon për shpërthimet që kryhen në gurore.