E kujt është Tirana?
E para gjë që më bën të ndihem mirë sapo vij në Tiranë, është gjuha. Që në aeroport i gëzohem tingullit të shqipes që sa vjen e forcohet.
Pastaj zhurmat teksa dua t\ fle, kur luftoj me jastëkun dhe me 'jetlagun' që t'i vjedh natës ndonjë orë gjumë, janë edhe ato në shqip: fshesarë, të dehur, dashnorë, të pastrehë që herë kuisin e herë këndojnë në dy apo tre të mëngjesit.
Dhe pastaj zgjimi i parë në Tiranë: qepena që ngrihen me zhurma Shqipërie, përshëndetje pleqsh që dalin herët për pazaret e ditës, të papunësh të lagjes që mezi presin të hapet Kafja e qoshes, të bërtiturat e atyre që zgjohen me humor të mirë e që u hedhin romuze komshinjve që pa gdhirë. Ahhh, erë Shqipërie dhe Tirane!
Shqipja e Tiranës dhe ankesat
Po shqipja që të kap veshi këtyre viteve nuk është më ajo që dëgjohej një herë rrugëve tiranase. Është e përzier, e përthyer, ndoshta edhe e copëzuar në tingull e përmbajtje. Dikur forma kryesore e folur (dhe e dëgjuar) e kryeqytetasve ishte nj\ rrumbullakim relativisht i njëtrajtshëm i letrarishtes prestigjioze nga e folmja e Tiranës (dhe anasjelltas).
E flisnin pjesa dërrmuese e njerëzve, dhe kur të kapte veshi dialekt të pastër, qoftë Jugu e qoftë Veriu, e papritura të bënte t'i ndaloje pakëz mendimet mbi të apo t'i hidhje një sy kalimtarit. Është ndryshe sot. Të folme nga gjithë qytetet, qytezat e fshatrat shqiptare harlisen rokoko rrugëve copë-copë të Tiranës.
shtë bërë e zakonshme edhe shprehja bezdisë tiranase ndaj tyre. Por shqipja e re është veç shenjëza, flamurthi i ngritur, dhe busulla e kalimtarit të painteresuar, që sinjalizon se ndryshime shumë më të mëdha kanë ndodhur brenda hapësirës tiranase.
Thuajse 700.000 banorë të regjistruar dhe nj\ prurje e lartë vjetore e të ardhurve, e bën Tiranën t'i afrohet një metropoli, për nga sasia e njerëzve, po me paplotësi dhe arnime në gjithçka tjetër. Thellësisht mungojnë kushtet materiale, infrastruktura dhe kultura e tradita asimiluese qytetare që u japin ecuri normale jetëve të njerëzve që fati i kapërtheu kësaj Tirane. Tirana jonë, me shumë njerëz e pa shumë kushte!
Bashkë me të ka një pikëllim e qarje "qytetase" mes tiranasve. "Duhet të mbyllësh veshët rrugëve që të mos dëgjosh malokët!", ankohen "autoktonët". "Na mbytën katundarët! Lagjet ku ngulen i kanë ndarë sipas fshatit nga vijnë!", "Na kanë zaptuar çeçenët!". "S'sheh më tiranas rrugëve - fshihen se kanë frikë nga llumi!", "Tirana emigroi, fshati e zaptoi!".
Disa i referohen këngës socialiste dhe përmbysin raportin në të: "E bëmë qytetin si fshati!" Qytetas është ky ankim, por nuk është as qytetar dhe as i menduar, është thjesht gulçimi i hallexhiut tiranas që nuk e gjen fajin atje ku faji kapardiset, po te bashkëviktima në krah të vet. Klishe e përhershme e njerëzimit...
Sa për "gjuhën e keqe", argumenti nuk rri, se shqipja leksikalisht e djegur në nevojë për fjalë të reja, ka një shans të madh pasurimi në prurjen masive e ballore gjuhësore të të folmeve anësore në kryeqytet.
Madje, edhe për pjesën strukturore, që sido që e kodifikuar, mbetet e ngushtë dhe me nevoja vjeljeje të mëtejshme, vlen po kaq mundësia fatlume që rrjedh nga përzierja e natyrshme e të folmeve brenda hapësirës së Tiranës. Por problemi me gjuhën nuk është "shqipja e malokëve", që bartin po aq vlerë të gjallë gjuhësore sa edhe "tiranasit denbabaden".
Çështja është se sot nuk ka më një normë funksionale gjuhësore të detyruar, të respektuar e të institucionalizuar si nëpër shkolla, ashtu edhe nëpër gjithë institucionet shtetërore e private, që nga mediat e më poshtë (e lart), që të gjithë shqiptarët ta njohin, ta shkruajnë e ta përdorin drejt, ta studiojnë nëpër shkolla, ta vlerësojnë e t'i binden. Kjo e keqe e madhe ka pllakosur tiranasit e hershëm po aq sa edhe ata të sapoardhur dhe i bën t'i vënë lenten kalimtarit që guxon të thotë një gjysmë llafi shqiptuar ndryshe.
Po të kishim shkolla funksionale e institucione me një standard ftues e me forcë integruese ndaj elementeve të të folmeve, të hapur e përfshirës, më pak do bëheshin dallimet fonetike terren pjellor për dasi sociolinguistike Laboviane, shoqërisht të mjera e skllavëruese, mes njerëzish të abuzuar e të shfrytëzuar keq nga sistemi; me një të tillë standard, më shumë do qe i mundur integrimi i gjithë kësaj larmie në një harmoni e pasuri tërësore kryeqytetase e më pas kombëtare, në vend të kaosit kakofonik gjuhësor që mbizotëron e që rikrijon shtresime sociale jodemokratike e kasta që në fakt nuk kanë bazë reale ekzistence.
Kur gjuhëtari kosovar Rexhep Ismajli thotë se Tirana (institucionale) e sotme nuk e luan dot më rolin gjuhësor qendror dhe asimilues që ka pasur dikur në raport me dialektet, nuk e ka fjalën për një pamundësi absolute apo teorike të Tiranës, por për një realitet të trishtë zyrtar, shkaktuar nga braktisja nga shteti, institucionet dhe qytetarët e kujdesit për gjuhën, kujdes që, pavarësisht nga arsyet, deri para njëzet vjetësh ende jetonte e na bënte, në këtë pikë së paku, të ngjashëm me botën e zhvilluar që funksionon mbi një variant standard e përbashkues.
Braktisja e standardit është një krim shoqëror i sistemit, ndërsa në nivelin e njeriut të thjeshtë i ngjan aktit primitiv të shkatërrimit të plantacioneve me mollë sepse duan punë, ose se ishin mbjellë gjatë socializmit.
Çfarë tjetër sjellin "ardhacakët"? - Por, siç thashë më lart, gjuha është vetëm tregues i jashtëm për diçka më të thellë që vëlon në barkun e Tiranës. Gëlimi i jotiranasve në të, shoqërohet shpesh nga një gëlim i varfërisë dhe i gjithë veseve e ceneve që shoqërojnë atë, është gëlim i joqytetares që do një shans dhe një periudhë që të mësohet e të bëhet qytetare atëherë kur ka një terren që e lejon ndryshimin.
Të ardhurit e padukshëm, ose pjesa më e madhe e Tiranës sot, ata që vishen keq e mbajnë erë djersë kur të kalojnë në krah, ata që kanë zënë vrima qosheve, që mezi mbushin barkun, që i hyjnë krimit se zgjidhje më të mirë nuk kanë, që kanë fare pak shpresë për jetë normale e prapë s'e lëshojnë Tiranën, ata të cilët të ashtuquajturit "tiranas safi" i vështrojnë si objekte që të prishin rehatllëkun ambiental duke t'u vërtitur në hapësirën pamore që ndërkaq u takon padyshim tiransve të vërtetë, janë vulë e shëmtuar e një sistemi qeverisës jofunksional në Shqipëri.
Atyre mund t'u vësh faj po aq sa fëmijëve të rritur në familje abuzuese, pa kushte, pa rregull, pa dashuri.
Perversiteti i fëmijëve të tillë është social e jo biologjik. Sistemi politik mban mbi vete këtë barrë, jo individi.
Tufa e madhe njerëzore që shpesh përdoret si mish për top apo si prapavijë për vota, pa identitet të qartë, e egërsuar, e përulur, servile dhe po aq e ashpër, është në Tiranë për një arsye të vetme: për një jetë më të mirë.
Kush mund të gjykohet për më normalen ndjenjë njerëzore që e ka lëvizur njerëzimin dhe historinë e tij nga koha 0, dhe kush mund t'i njohë vetes të drejtën e gjykuesit ndaj tyre?
Për vjedhjen e tokave, ndërtesat abuzive, prostitucionin profesional, mbijetesën korruptive, injorancën e llumin e përditshëm, sjelljen e keqe që disa nga "ardhacakët" bartin, tjetërkush duhet gjykuar, jo viktimat që thjeshtë kërkojnë derman. Që t'i kërkosh individit t'i bindet ligjit, e para duhet të ketë një të tillë, e dyta duhet të ketë një sistem që i detyron qytetarët t'i binden ligjit.
***
Cilët janë tiranasit "legjitimë" e ata të inatosur? - Para pak ditësh më treguan një anekdotë të jetuar. Një tiranas (prej vërteti) takon në New York City një grup emigrantësh nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, që luftonin suksesshëm me të përditshmen e egër amerikane (po jo aq të egër sa ajo e Tiranës).
Në një pikë të caktuar tiranasi u thotë fakirëve ende kokulur se "amerikanë e njujorkezë ata mund të bëheshin padyshim, po tiranas nuk do bëheshin dot ndonjëherë". Më vjen turp nga kjo arrogance e kryelartësi boshe nga ana e "tir