Fqinjët e Bubeqit: Policia e mjekët të mbajnë përgjegjësi
MASAKRA VLORË/ Banorët vijojnë të jenë të trembur edhe disa ditë pas ngjarjes ku ndërroi jetë një person e u plagosën katër të tjerë
VLORË - Një tufë e madhe me lule është vënë në cep të rrugicës që çon te blloku i pallateve të vjetër të lagjes "Isa Boletini". Në zonën ku banonte ish-futbollisti Agim Bubeqi, sapo u përmend ngjarjen e së enjtes mbrëma, duket se dëshmitarët apo ata që kanë parë skenën më pas, ende nuk e kanë mbledhur veten.
Nira, një banore e vjetër e kësaj zone, pohon se atë natë nuk guxonte të hapte derën për të parë çfarë po ndodhte teksa kishte dëgjuar zhurmat, pasi kishte frikë. "Më pas pamë gjithçka dhe u tronditëm, - thotë ajo, ndërsa me zërin që dëshmon protestën vijon - Nuk e marr vesh pse duhet të ndodhin gjëra të tilla, të cilat mund të ishin parandaluar! Këta të familjes kishin lajmëruar disa kohë më parë.
Gjendja e tij dihej që nuk ishte fare normale. Pse i lënë këta njerëz kështu të jetojnë mes normalëve?! - thotë gruaja e trembur. Për ngjarjen, ajo tregon se gjithçka filloi nga një djalë i vogël. - Nuk e di mirë çfarë e kishte zënë me këtë të voglin, por kur Bubeqi i është turrur fëmijës së vogël, ata që ishin te tavolinat janë parë të qeshnin.
Dhe ai ka nxituar t'u drejtohet të rriturve. Ne këtu në lagje nuk e ngacmonim. As ai nuk na ngacmonte. Shkonte në dyqan, blinte gjëra, hynte në shtëpi. E dinim se nëse kalonte ai dhe dikush kollitej, do ta kishte armik numër një. Edhe po të qeshnin me të e kishte shumë problem.
Por deri tani nuk ka pasur gjë, - vijon të rrëfejë fqinja. Ajo thotë se edhe me familjen ish-futbollisti nuk fliste që prej më shumë se 10 vjetësh. - Ai bëhej vetëm me të motrën në Greqi. Ajo i dërgonte dhe para e veshje dhe vetëm me atë pranonte të komunikonte. Me familjarët e tjerë jo.
Edhe pak kohë më parë që i vdiq i ati, as që ia ndjeu. Por ishte apo jo në terezi, faj kanë të policisë a të spitaleve, kush i ka në kompetencë që lë këta njerëz të jenë jashtë. Kemi dëgjuar se familjarët kanë thënë se nuk ka justifikim për atë që ka bërë.
Vetë e ëma e tij thotë se le të marrë dënimin që meriton, pasi ka bërë faj",- përmbyll banorja, e vetmja që pranon të flasë. Ndërkohë, të tjerë vijojnë të jenë me ankthin e së enjtes mbrëma ku panë të përgjaken në një masakër me thikë 5 vetë, njëri prej të cilëve, vetëm 24 vjeç, ndërroi jetë.
Gjykata e Shkallës së Parë ka dhënë masën e sigurisë për Agim Bubeqin, personin i cili vrau një 24-vjeçar dhe plagosi katër të tjerë. "Burg pa afat" kanë vendosur togat e zeza për ish-futbollistin vlonjat, i cili masakroi me thikë një grup personash katër ditë më parë. Seanca është zhvilluar nën drejtimin e gjyqtarit Hektor Sinani. Pasi është dëgjuar akuza, vetë autori i ngjarjes nuk ka pranuar të flasë.
Duke marrë parasysh ngjarjen e rëndë, gjykata ka vendosur "burg pa afat" për vijimësinë e çështjes në gjyqësor. Ndërsa ish-futbollisti nuk ka folur, burime nga organi i prokurorisë bëjnë të ditur se ai ka vazhduar t'i qëndrojë pretendimit se është ngacmuar nga personat që ka sulmuar dhe reagimi i tij ka pasur këtë shkak.
Gjithsesi, mësohet se të gjitha dëshmitë e tij janë marrë me rezerva, ndërsa nuk ka ende një konfirmim zyrtar për gjendjen mendore të ish-futbollistit. Ky i fundit akuzohet për "vrasje në rrethana cilësuese", krim që ndodhi mbrëmjen e së enjtes, më 16 korrik, ku Bubeqi qëlloi me thikë pesë vetë.
Nga goditjet, ndërroi jetë 24-vjeçari Edmond Ngucaj, ndërsa mbetën të plagosur katër të tjerë. Ngjarja tronditi opinionin vlonjat për nga egërsia me të cilën u krye, por edhe nga emri i autorit, i cili është shumë i njohur në fushën e sportit.
Agim Bubeqi njihej si njeri me çrregullime të shëndetit mendor, në një kohë kur pranë spitalit psikiatrik të Vlorës nuk ka kartelë të hapur për të. Menjëherë pas prangosjes së tij, burime nga blutë bënë të ditur se ai dyshohej edhe si autor i plagosjes së neurologut Kosta Koçi, i sulmuar me thikë në muajin shtator të vitit të kaluar, nga një person ende i paidentifikuar.
Ngjarja nuk ka kaluar pa komente në Vlorë, pasi Bubeqi njihej nga emri që kishte bërë dikur në fushën e blertë të sportit. Ish-futbollistë shprehen për të se dikur ai nuk kishte shfaqur kurrë probleme të tilla.
Përkundrazi, ishte i shkolluar, me kulturë. Sipas tyre, problemet e tij nisën që pasi u fut në shkollën fetare. Nën zë ata pohojnë se ai ka pasur synimin të zinte një pozicion në strukturat e këtij komuniteti, por kur nuk ia arriti, duket se e përjetoi keq.
Gjithsesi, ajo që sot është në komentet e shumë të njohurve, është tema "A duhet të lihen ata të jenë gjithmonë kërcënim apo duhet të shikohen me kujdes, për të mos ndodhur raste të tilla?".