E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet grupi i hajdutëve në plazh

Tre persona janë ndaluar nga policia në flagrancë duke vjedhur në çadrat e pushuesve


Zbulohen në plazhin e Golemit grupe keqbërësish që vidhnin çadrat e pushuesve, policia arreston një 18-vjeçar nga Qukësi, si dhe dy kushërira 14 dhe 13 vjeçare, janë kapur në flagrancë nga agjentët e policisë së Kavajës, gjatë ditës së shtunë dhe të diel në zonën e Golemit. Lajmi është bërë i ditur për "Shekullin", nga burime të policisë së Kavajës, të cilët kanë pohuar se Leonard Shyti, 18 vjeç, nga fshati Qukës, i Librazhdit, është arrestuar dje në zonën e Golemit, në një nga zonat e plazheve me lokale dhe hotele pranë stacionit të trenit të kësaj zone. Shyti është kapur në flagrancë nga agjentët civilë të komisariatit të Kavajës, të cilët patrullonin në zonë. I arrestuari është kapur në flagrancë, sapo kishte marrë në një çadër, një sasi prej rreth 10 mijë lekësh të reja dy aparatë telefoni celularë, byzylykë floriri si dhe sende të tjera. Pas kapjes në flagrancë të të riut, ai ka pranuar krimin, ndërsa policia ka bllokuar në cilësinë e provave materiale sendet e vjedhura. Ndërkaq, hetuesit iu kanë marrë nga një deklarim të dëmtuarve të cilët kanë treguar për rrethanat e ngjarjes dhe elementë të tjerë në interes të hetimit. Gjatë marrjes së tij në pyetje, Shyti ka pranuar se është autori i vjedhjes së sendeve ndërsa ka pohuar se vinte me tren nga Librazhdi ndërsa flinte çadrave dhe shezllongëve të plazhit. Ndërkaq një ditë më parë, policia e Kavajës, kishte kapur në flagrancë dy kushërira vajza tezesh nga Elbasani. Ato gjithashtu janë kapur nga agjentët e policisë që patrullonin në zonën e plazhit, duke vjedhur sende personale të pushuesve në çadra, të plazhit të zonës së Golemit. Të dy kushërirat janë bllokuar bashkë me sendet e vjedhura dhe më pas janë dërguar në komsariatin e policisë së Kavajës. Edhe këto të fundit mësohet se vinin në plazh me tren nga Elbasani dhe në mbrëmje ktheheshin, ose qëndronin në zonë sipas rastit. Pas marrjes së deklarimeve, policia i ka lënë të miturat në gjendje të lirë, për shkak të moshës së tyre të mitur ndërsa ndaj njërës policia ka nisur procedimin penal me akuzën e vjedhjes në bashkëpunim, duke qenë se ishte mbi 14 vjeçe.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›