E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacioni “Gracka”, në pranga 25 vjeçari që vrau bashkëshorten

Kukës- Dje forcat e Drejtorisë së Policisë Qarkut Kukës kanë vënë në pranga 25 vjeçarin Dan Hudra, i cili kërkohej nga blutë i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, ngjarje kjo e ndodhur një javë më parë në Tiranë. Pas të dhënave të siguruara në rrugë operative nga policia kriminale e Kukësit mbi vendndodhjen e shumë të kërkuarit Hudra, menjëherë është organizuar një operacion i koduar “gracka” të cilin e kryesonte vetë Drejtori i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Kukës N/Komisar Muharrem Furriku i cili është finalizuar me prangosjen e Dan Hudra, i cili kërkohej nga blutë për vrasjen e bashkëshortes së tij, disa ditë më parë në rrugën “Stavri Themeli” në Tiranë. Në operacion janë angazhuar dhjetëra forca dhe policie të përqendruara në afërsi të fshatit Kalimash rreth 20 kilometër larg qytetit të Kukësit në aksin rrugor Kukës-Qafë Shllak. Burime pranë policisë Kukës thanë se informacioni dhënë nga agjentë të policisë kriminale të Kukësit ishte i sigurt se 25 vjeçari ndodhej në autobusin e linjës Durrës-Kukës dhe kishte për qëllim ti shmangej kërkimit nga policia e kryeqytetit ku dhe kishtë bërë vrasjen një javë më parë duke u fshehur në fshatin e lindjes Kalimash. Burimet sqaruan se operacioni i bazuar në të dhënat e sigurta nuk i ka dhënë mundësi reagimi ndaj bluve të operacionit të cilët dje rreth orës 14.45 në afërsi të Kalimashit kanë ndaluar autobusin e linjës Durrës-Kukës dhe menjëherë kanë bërë arrestimin e 25 vjeçarit të cilin e kanë shoqëruar për në dhomat e paraburgimit Kukës. Gjatë këtij viti forcat e Drejtorisë së Policisë Qarkut Kukës kanë ndaluar 16 persona të kërkuar nga policia e rretheve të tjera të vendit.

17 Dhjetor 2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›