Operacioni Harem, mafia mbyste klandestinë dhe kalonte drogë e armë
Një nga “sukseset” e policisë shqiptare për goditjen e organizatës mafioze italiane “Ndragheta” ishte edhe operacioni i koduar “HAREM”, i finalizuar në dhjetor 2005, në Itali, Shqipëri dhe Gjermani, me rezultatin 85 të arrestuar, 300 kg drogë e sekuestruar dhe 4 automatikë kallashnikov e municion. “Në përfundim të këtij operacioni u provuan dhe dokumentuan lidhjet e grupeve kriminale nga Shqipëria me mafien kalabreze. Gjithashtu, një mënyrë e detajuar hetimi tashmë i përfunduar i Prokurorisë Antimafia të Katanzaros në Itali ka qenë operacioni për kapjen e grupit kriminal shqiptar me lidhjet e fuqishme me mafien italiane”, do të deklaronte në atë kohë Policia e Shtetit, ndërsa më pas do të zbuloheshin fakte tronditëse. Sipas të dhënave nga Italia, në vitin 2001-‘02, nga trafikantët mbyteshin gomone me klandestinë, për të bërë të mundur kalimin e armëve dhe drogës. Në disa raste gomonet me klandestinë që lundronin nga Shqipëria për në Itali janë mbytur me qëllim nga skafistët për të hutuar anijet e forcave italiane të rendit dhe për të lejuar kështu kalimin e gomoneve të tjera, që transportonin armë dhe drogë. Këto fakte tronditëse kanë dalë nga hetimet e kryera nga karabinierët, hetime që çuan në operacionin e koduar me emrin “Harem”. Në Itali u hetua sidomos për disa raste mbytjesh të gomoneve në afërsi të Puljas gjatë vitit 2002. Në disa raste të tjera, anëtarët e organizatës kriminale të trafikut kanë provokuar përplasjen e gomoneve me klandestinë me mjetet e rojës bregdetare italiane, për të pasur kështu rrugë të lirë në kalimin e mjeteve që transportonin armë e drogë. “Organizata e përbërë nga shqiptarë-kalabrezë e puljezë, tha prokurori i Katanxaros, Mariano Lombardi, i konsideronte emigrantët thjesht një mall këmbimi që shfrytëzohej për qëllimet më të këqija, duke kryer mbi ta krimet më të tmerrshme”.
#