E Diel, 1 Nëntor 2026

Duel verbal mes prefektit dhe Bashkisë së Tiranës

Përplasja Kruja: Do të kontrolloj financat. Rama dorëzon padinë në prokurori

Thellohet përplasja mes prefektit të qarkut dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Korrespondenca mes Keltis Krujës në postin e prefektit të Tiranës dhe Edi Ramës si kryetari i bashkisë më të madhe në vend, ka marrë dimensione të reja, duke rritur dozat e kërcënimit dypalësh. Prefekti Kruja kërkon me këmbëngulje të kryejë auditimin në Bashkinë e Tiranës, ndërsa kjo e fundit e ka cilësuar kërcënim veprimin e prefektit, duke i bërë atij kallëzim penal. Kryetari i Bashkisë, Edi Rama, i ka paraqitur prokurorit të Tiranës një kërkesë, ku akuzon për shpërdorim detyre prefektin Keltis Kruja. Në kërkesën e kryebashkiakut Rama është paraqitur edhe arsyeja pse ai akuzon Keltis Krujën për shpërdorim detyre. “Nga ana subjektive, figura e “shpërdorimit të detyrës” është kryer me dashje të drejtpërdrejtë dhe motiv kryesor prishjen e imazhit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe paraqitjen e tij para opinionit publik, si një individ që kërkon të pengojë transparencën duke mosrespektuar ligjin”, thuhet në letrën e Edi Ramës. “Nga ana objektive, figura e ‘shpërdorimit të detyrës’ është kryer me veprime aktive të kundërligjshme, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës. Veprimet aktive në këtë rast (pikërisht dërgimi i dy kërkesave dhe insistimi për kryerjen e Auditimit të Brendshëm pranë Bashkisë së Tiranës, si dhe kërkesa për ngrirje fondesh drejtuar pranë Kryeministrit dhe ministrit të Financave), karakterizohen nga fakti se janë kryer nga një funksionar publik, në sajë të detyrës (funksionit) të tij, por në kundërshtim me ligjin dhe me përmbushjen e rregullt të saj”, citohet nga Edi Rama në qëndrimin publik drejtuar prokurorit të Tiranës. Prefekti i Tiranës, Keltis Kruja, ka reaguar pas përgjigjes së kthyer nga Bashkia e Tiranës, se auditimi i kërkuar nga prefektura nuk është në kompetencat e saj dhe përbën kërcënim për ushtrimin e kompetencave ligjore. Sipas prefektit Kruja, auditimi i kërkuar prej institucionit që ai drejton është i ligjshëm, pasi “auditimi i Bashkisë Tiranë është në kompetencë të prefektit të Qarkut Tiranë, ashtu siç kontrollohet dhe auditohet çdo organ i qeverisjes vendore të Qarkut Tiranë dhe jo vetëm për fondin e veçantë. Në këtë kuadër këtu nuk ka synim për ndërhyrje apo cenim të kërkesave tuaja ligjore”, është interpretimi i prefektit të Tiranës ndaj letrës së bashkisë së kryeqytetit. Në letrën e Krujës sqarohet se kërkesa për auditim në bashki i referohet vetëm kontrollit financiar për fondet e ardhura nga buxheti i shtetit, ndërsa theksohet se, pikërisht institucioni i prefektit të qarkut po kërkon kontrollin financiar në Bashkinë Tiranë për fondet e ardhura nga buxheti i shtetit, ndërsa sqarohet se këto janë përpjekje të bashkisë për të mos zbatuar ligjet në fuqi. "Në kërkesën tonë ne u jemi referuar vetëm akteve ligjore në fuqi, të cilat parashikojnë më së miri kompetencën ligjore të kontrollit financiar. Gjithashtu më duhet t’ju ritheksoj se ushtrimi i auditimit dhe kontrollit financiar nuk përbën kërcënim, por ushtrim kompetencash ligjore, të cilave ju në mënyrë të përsëritur mundoheni t’i shmangeni. Përpjekja juaj për të justifikuar mospërmbushjen e detyrimeve tuaja ligjore si sulme politike nuk është gjë tjetër veçse një dëshmi e qartë që tregon se Bashkia Tiranë qeveriset nga ju në mospërputhje të thellë të ligjeve dhe si rrjedhojë edhe në shkelje të plotë të tyre”, citohet në letrën e Prefekturës së Tiranës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›