Ivanoviq: Nuk kam vrarë shqiptarë

Sekretari i shtetit në të ashtuquajturën Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq përmes të përditshmes të Beogradit “Blic” ka mohuar një shkrim të së përditshmes “Koha Ditore” – e cila ka publikuar raportin e hollësishëm të policisë së UNMIK-ut për vrasjen e 10 shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës në vitin 2000, sipas të cilit, i dyshuari kryesor për vrasjen e 2 shqiptarëve ishin lideri politik, Oliver Ivanoviq, dhe ish-shefi i policisë në veri, Dragan Delibashiq.
Ivanoviq ka thënë se prokurori ndërkombëtar, Michael Hartmann, ka hequr dorë nga ndjekja pas hetimeve qysh më 2002. “S’është hera e parë që mediet shqiptare të publikojnë këtë tregim dhe ai shfaqet në mënyrë ciklike sa herë që unë flas pak më ashpër rreth kriminalitetit në Kosovë”, është shprehur Ivanoviq, raporton Koha.
Sipas raportit, me emrin “Pandora sigma”, në të cilin mbështetet kjo e përditshme, të dyshuarit kryesorë për vrasjen e Nderim Ajetit e Nerimane Qakës ishin ish-shefi i Këshillit Kombëtar serb, aktualisht lider politik për Veriun, Oliver Ivanoviq, dhe ish-shefi i policisë në veri, Dragan Delibashiq.
Gazeta rikujton se 11 vjet pas masakrës askush nuk është dënuar për vrasjen e 10 personave dhe plagosjen e 25 të tjerëve.