Operacioni Postieri kap autorin e vjedhjes së 1.4 milionë lekëve të Postës

Gjirokastër, 2 shtator, NOA Vetëm një muaj ka zgjatur enigma e vjedhjes së 1.5 milionë lekëve të Postës, që një agresor ia vodhi një punonjëseje të filialit të Gjirokastrës që shpërndante lekët e pensionistëve, ndërsa ajo ecte në rrugë.
Kjo pasi forcat e policisë, siç bëjnë me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA kanë mundur të ndalojnë autorin e kësaj ngjarje dhe të shpallin në kërkim bashkëpunëtorin i tij pasi kanë zhvilluar një operacion të koduar me emrin Postieri.
Mësohet se i ndaluari është Adriatik Mine, 27 vjeç, lindur dhe banues në Fier, i dënuar disa herë për veprën penale të Vjedhjes.
Ndërsa nuk bëhet me dije gjeneralitetet e personit tjetër i cili është shpallur në kërkim për arsye hetimi.
Të dy së bashku, më datën 04.08.2010, në mesin e lagjes Varrosh të qytetit Gjirokastër i kanë vjedhur me dhunë punonjëses së Postës Shqiptare dega Gjirokastër shumën prej 1.4 milion lekë të reja, të cilat ajo i kishte tërhequr pranë filialit të Postës për tua shpërndarë pensionistëve në banesat e tyre.
Kapja e Mines u bë nga ana e forcave policore në bashkëpunim me komisariatin e Policisë 4 në Tiranë, i cili ka zbuluar banesën që ai kishte marrë me qera në Tiranë para një muaji.
Nga ana e policisë po punohet për kapjen e autorit tjetër të kësaj vepre penale, ndërsa materialet iu kaluan prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme për veprën penale të Vjedhjes me dhunë, kryer në bashkëpunim, kjo e parashikuar nga neni 139 e 25 të Kodit Penal.
n.e/NOA