Drejtori i Spitalit: Mjeku është i pafajshëm, arrestimi i nxituar
Drejtori i Spitalit të Lezhës, Nevruz Bare merr në mbrojtje kirurgun e arrestuar për vdekjen e një pacienti. Në një konferencë shtypi ai bën publike dosjen e pacientit, për të cilën akuzohet Ndue Çupi. Familjarët: I kemi thënë të gjitha në prokurori
Kolegët kanë marrë në mbrojtje mjekun e akuzuar se ka shkaktuar vdekjen e një pacienti të tij. 24 orë pas arrestimit të shefit të kirurgjisë në spitalin e Lezhës, Ndue Çupi, ka reaguar drejtori i Shërbimit Spitalor të Lezhës, Nevruz Bare. Ai ka dalë në një konferencë për mediat, gjatë së cilës ka publikuar edhe kartelën e pacientit të përpiluar nga mjekut Ndue Çupi, ndërsa ka argumentuar edhe arsyet që sipas tij bëjnë që mjeku të jetë i pafajshëm. Në fjalën e tij, Bare është shprehur se “mjeku Ndue Çupi është një nga kirurgët dhe mjekët më të mirë të spitalit të Lezhës”. Sipas tij, Çupi ka zbatuar me përpikëri të gjithë detyrat e tij si mjek. “Kur fillimisht është konstatuar se kishte të bënte me një plasaritje të apendicitit të viktimës Mark Noka, që kishte ndodhur disa ditë më përpara se ai të paraqitej në spital, mjeku me të drejtë ka vendosur ta fusë atë në operim”, - tha më tej Bare. Sipas tij, në momentin që është konstatuar një gjë e tillë dhe pacienti kishte nevojë për ndërhyrje kirurgjikale, mjeku Ndue Çupi ka marrë edhe firmën e familjarëve, të cilët ishin dakord që të kryhej një operim i tillë. Po kështu sipas Bares, operacioni ka qenë i suksesshëm dhe pacienti ka pasur një përmirësim të ndjeshëm të gjendjes shëndetësore. Ndërsa komplikacioni që i ka ndodhur shëndetit të të ndjerit Mark Noka ka qenë i menjëhershëm ditën e shtatë, në momentin që ai po dilte nga spitali.
“Sipas mjekëve të mi, por edhe ekspertizës mjekoligjore të ardhur posaçërisht nga Tirana, rezulton se pacienti ka pësuar një tromboemboli pulmonare ( Triomboza), në gjoks, çka ka sjellë për pasojë edhe vdekjen, pasi pacienti vuante edhe nga sëmundja e diabetit. Janë të njohura në mjekësi këto diagnoza që janë vdekjeprurëse, ku mjekët edhe me dëshirën e mirë për t’i kuruar duke iu dhënë ndihmën në kohën dhe momentin e duhur, nuk kanë mundur t’i mbajnë një jetë pacientët me probleme të tilla”, - tha Bare.
Ai ka shpjeguar më tej se ka dalë në konferencë shtypi, “jo për të mbrojtur mjekun Ndue Çupi, pasi ai është i aftë për ta bërë një gjë të tillë, por për të treguar të vërtetën, sikurse qëndron ajo. Pasi jam i bindur që mjeku është i pafajshëm dhe ka kryer me përpikëri detyrën si mjek”, - tha Bare. Ai ka vlerësuar si të nxituar arrestimin e kirurgut dhe ka shprehur besimin se ky do të marrë pafajësinë.
Kirurgu i spitalit të Lezhës, Ndue Çupi u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Lezhës dy ditë më parë nën akuzën e “mjekimit të pakujdesshëm”. Ndërsa ai vazhdon të qëndrojë në dhomat e paraburgimit të Lezhës dhe vijon të merret në pyetje nga ana e prokurorisë së këtij rrethi. Familjarët që kanë kryer denoncimin ndaj mjekut për vdekjen e të ndjerit Mark Noka, nuk kanë pranuar të prononcohen për mediat, ndërsa janë shprehur se pretendimet e tyre i kanë paraqitur në prokurori.