E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata bllokon këshillat e Fierit dhe Patosit

Vazhdon të zhytet në paqartësi situata mbi këshillat bashkiakë, ato komunalë dhe këshillin e qarkut Fier, ndërsa gjykata ka pezulluar dje zbatimin e vendimeve të mbledhjeve të këshillit bashkiak Fier, Patos, si dhe të këshillit të komunës Dërmënas. Kjo e ka çuar në 7 numrin e këshillave “të bllokuar” në këtë qark, përfshi këtu edhe vendimet e marra në dy shkallë të gjyqësorit për këshillin e qarkut, për të cilin ndërkohë ka dy kryetarë të zgjedhur dhe dy mbledhje konstituimi. Në lidhje me këshillin bashkiak Fier, Gjykata e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Fier ka pezulluar zbatimin e vendimeve të mbledhjes së datës 19 shtator. Ajo ka pezulluar vendimet e dala nga kjo mbledhje, derisa çështja të shqyrtohet në themel të saj, ku si objekt ka pavlefshmëri absolute të të gjitha vendimeve të dala nga mbledhja e datës 19 shtator. Akti i pezullimit do të thotë që veprimtaria e këshillit bashkiak të funksionojë normalisht nën drejtimin e nënkryetarit të tij, Sokrat Ikonomi, dhe jo nga kryetarët Donika Jorgaqi, dalë si kryetare në mbledhjen e këshillit bashkiak të datës 29.6.2011, dhe as Vasil Ndreko, dalë nga mbledhja e datës 19 shtator, ku morën pjesë 18 këshilltarë të Aleancës për Qytetarin. A.Velo

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›