E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekuestrohen 120 kg marijuanë, në kërkim 5 transportuesit

Policia humbet në mjegull pesë të rinjtë, katër nga Lazarati dhe një nga Nepravishta, ndërsa sekuestron katër çantat me hashash që mendohej se do të trafikoheshin për në Greqi

Gjirokastër- Policia e Gjirokastrës provoi të përdorte mjegullën dhe errësirën dje për të ndaluar 5 personat që transportonin 120 kilogramë hashash, por ka mundur të kapë vetëm drogën, ndërsa të rinjtë janë larguar. Operacioni i koduar “Mjegulla” u zhvillua të mërkurën nga policia e Gjirokastrës, e cila ka bllokuar sërish një ngarkesë me lëndë narkotike, si dhe ka nisur procedimin penal për personat e dyshuar si transportues të drogës.

Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, rreth orës 02:00 të së mërkurës, specialistët e Seksionit për Parandalimin dhe Hetimin e Krimit kanë marrë informacion në rrugë operative se 5 të rinj, në vendin e quajtur “Hija e Zezë”, përballë fshatit Nepravishtë të Gjirokastrës po transportonin me krahë në drejtim të kufirit jeshil me shtetin grek disa çanta të mëdha shpine, të cilat dyshohej se kishin lëndë narkotike. “Me marrjen e këtij informacioni ne ideuam zbatimin e operacionit antidrogë të koduar “Mjegulla”, me qëllim goditjen e këtij rasti të trafikimit të lëndëve narkotike, sekuestrimin e sasisë së drogës dhe ndëshkimin ligjor të transportuesve të saj”, - thonë burimet policore në Gjirokastër.

Në zbatimin në terren të këtij operacioni u angazhuan forcat e Komisariatit të Policisë Gjirokastër në bashkëpunim me Sektorin kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut. Fillimisht, efektivët e policisë kanë rritur praninë e tyre në zonën pranë fshatit Nepravishtë, në të cilën dyshohej se ndodhej grupi i transportuesve të lëndës narkotike. Sipas burimeve policore, operacioni antidrogë ka startuar rreth orës 03:00 të së mërkurës, në kushtet e një moti me shi të rrëmbyeshëm dhe mjegull, si dhe të terrenit të thyer dhe malor. Efektivat e antidrogës kanë identifikuar vendndodhjen e pesë të dyshuarve, të cilët ndodheshin në një shpellë, anës përroit të fshatit Nepravishtë. “Pasi zbuluam praninë e grupit, ne iu bëmë thirrje të 5 personave të mos lëviznin dhe t’u bindshin thirrjeve tona”, - thonë burimet policore, pjesëmarrëse në këtë operacion. Por pjesëtarët e grupit nuk i janë përgjigjur thirrjes së policisë. Ata i kanë braktisur çantat që kishin me vete duke i hedhur në përrua, dhe nëpërmjet shtratit të përroit të Nepravishtës, duke përfituar edhe nga errësira, janë larguar duke i shpëtuar ndjekjes së policisë. Paralelisht me krehjen e zonës në të cilën dyshohej se fshiheshin të pesë personat, grupi hetimor ka nisur punën edhe për zbardhjen e këtij rasti të trafikut të lëndëve narkotike.

Gjatë kontrollit të bërë në katër çantat e shpinës të braktisura në përrua, policia gjeti dhe sekuestroi dhjetë pako të mëdha me peshë 10 kilogramë secila, si dhe dhjetë pako me 2 kilogramë secila, të futura në një thes. Në total lënda narkotike e sekuestruar nga ana e policisë llogaritet në rreth 120 kg marijuanë. “Në bazë të provave të mbledhura, ne kemi bërë të mundur edhe identifikimin e pesë pjesëtarëve të grupit të dyshuar si transportues të kësaj ngarkese me marijuanë. 4 prej tyre janë nga fshati Lazarat dhe tjetri nga Nepravishta, por për arsye hetimi nuk publikojmë identitetet e tyre”, - thonë burime në grupin hetimor. Prokuroria e Gjirokastrës vijon hetimet e mëtejshme për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”. Ndërkohë ka arritur në rreth 2.5 ton sasia e lëndës narkotike e sekuestruar nga strukturat e Policisë së Shtetit në Qarkun e Gjirokastrës prej fillimit të këtij viti. Pjesa më e madhe e këtyre ngarkesave janë sekuestruar në tentativë për t’u trafikuar në drejtim të zonave të tjera të vendit, apo me destinacion Greqinë fqinje. Bledar Shehu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›