E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasaportat e rreme, ndjekje penale për 2 punonjës të “Aleat”

Korçë- Shtohen rastet e pasaportave biometrike me identitet të rremë. Policia e Korçës çon në ndjekje penale dy punonjës të zyrave të aplikimit për pasaporta vetëm në 24 orët e fundit, si dhe dy qytetarë. Ndërkohë, rastet janë duke u kthyer në fenomen në këtë qark, pasi ngjarje të ngjashme janë bërë të ditura edhe më parë. Sipas të njëjtave burime mësohet se kanë shkuar për ndjekje penale dy operatorë të aplikimit në Korçë dhe dy persona të tjerë që kishin aplikuar për pasaporta biometrike dhe karta identiteti me gjeneralitete të rreme. Procedimi penal ka nisur për 25-vjeçarin Fatjon Sefedini si dhe Florian Karafilin 29 vjeç, të dy operatorë për aplikimin për dokumentet e identifikimit, të cilët kanë lejuar dy shtetas të aplikojnë me të dhëna të rremë. Dy të lartpërmendurit, i pari me detyrë në zyrën e aplikimit në Korçë, dhe tjetri në Maliq, akuzohen për veprën penale “shpërdorim detyre”. Duke iu referuar të njëjtave burime zyrtare mësohet se ka nisur procedimi edhe për Armando Mullain nga Korça dhe Daniel Abasllarin, banor i fshatit Hudenisht në Pogradec, për të njëjtën arsye. Ndaj tyre rëndon akuza e “falsifikimit të dokumenteve të identifikimit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›