Operacioni në Korçë, sekuestro 6 makinave të vjedhura
Korçë- Automjetet e vjedhura janë vënë në sitë të policisë, ndërsa janë sekuestruar 6 makina luksoze vetëm në 24 orët e fundit. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me strukturat e saj policore në juglindje e ka vendosur vëmendjen e saj në qarkun e Korçës për identifikimin, bllokimin dhe sekuestrimin e automjeteve të vjedhura në vende të ndryshme të Europës. Në kuadër të operacionit të koduar “Vjeshta II” pas kontrolleve të shumta të të gjitha automjeteve me targa të huaja, por dhe ato që qarkullojnë pa targa janë zbuluar 6 që kanë rezultuar më pas të vjedhura. Bëhet fjalë për 6 automjete luksoze, që sipas informacioneve zyrtare të policisë kanë qenë të vjedhura në Itali, Serbi dhe Bullgari dhe më pas janë trafikuar drejt Shqipërisë, ku janë shitur dhe qarkullonin në Korçë. Sipas të njëjtave burime zyrtare, mësohet se në kuadër të këtij operacioni të shtrirë në të gjithë vendin, vetëm në 24 orët e fundit në qarkun e Korçës dhe kryesisht në akset nacionale të saj si Korçë-Pogradec, Korçë-Kapshticë, i janë nënshtruar kontrollit të dokumentacionit plot 200 automjete të tjera kryesisht me targa të huaja. Në të gjitha rastet verifikimet e anës dokumentare dhe teknike të tyre bëhen nëpërmjet Interpolit. Në këto kushte përgjigjja e tij ka rezultuar për 6 automjete të vjedhura, të cilat janë sekuestruar menjëherë. Ndërkaq, kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa sipas drejtuesve të policisë në Korçë nuk do t’i shpëtojë kontrollit asnjë lloj mjeti që qarkullon me targa të huaja për të zhdukur fenomenin e vjedhjes së mjeteve luksoze dhe për t’i sjellë ato në Shqipëri.