Traileri del nga rruga, shtyp 1 makinë dhe thyen murin e një shtëpie
Vlorë-Një trailer është përplasur dje me murin e një shtëpie dhe një automjet Benz. Mjeti i tonazhit të rëndë me targa VL 3008C ka kapërcyer një nga korsitë e rrugës transballkanike, duke përplasur kabinën në murin e një banese, si dhe dëmtuar tërësisht mjetin benz që ndodhej parkuar ngjitur me të. Drejtuesi i mjetit është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Vlorës, ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. Fatmirësisht nuk ka patur të lënduar, dhe po kaq me fat ka qenë drejtuesi i mjetit benz, i cili vetëm pak momente më parë ka dalë nga benzi. Ky i fundit është shtypur plotësisht nga pesha e mjetit të madh. Po kështu janë dëmtuar edhe muret e jashtme të banesës. Dëshmitarë pranë zonës ku ndodhi aksidenti pohojnë se kanë parë trailerin të ecte me shpejtësi, e më pas të devijonte duke hyrë në korsinë tjetër e prishur murin e banesës dhe benzin e parkuar pranë saj. Ende nuk dihen shkaqet pse është humbur kontrolli i automjetit të tonazhit të rëndë, të cilat do të sqarohen prej ekspertëve të policisë së qarkullimit rrugor.