Operacioni policor "Porosia e largët", arreston në Vlorë 9 persona me 28.1 kg lëndë narkotike

Policia e Vlorës bllokoi gjatë një operacioni një sasi prej 28.1 kg lëndë narkotike, ndërsa ndaloi 9 persona të dyshuar për implikim në trafikimin e saj, që mendohet se kishte si destinacion Greqinë. Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur se "sasia e lëndës narkotike, e llojit kanabis sativa, u bllokua mbrëmjen e djeshme gjatë operacionit të koduar "Porosia e largët", por procedurat ligjore të sekuestrimit dhe ndalimit përfunduan sot në mesditë". Sipas burimeve, fillimisht policia bllokoi 4.1 kg lëndë narkotike, që u zbulua gjatë kontrollit të një automjeti taksi në fshatin Bestrovë e Vogël, 5 km në verilindje të Vlorës, ndërkohë që disa orë më pas u sekuestruan edhe 24 kg kanabis në një banesë në fshatin Llakatund, 12 km në verilindje të qytetit. Të njëjtat burime bënë të ditur se gjatë operacionit u ndaluan në flagrancë shtetasit Ruhi Matuka dhe Klodian Ibrahimi, që ndodheshin në automjetin taksi, me targa VL574 A, si dhe pronari i banesës, Hamit Hoxha. Gjatë hetimeve u zgjerua rrethi i personave të dyshuar për përfshirje në këtë trafik të lëndës narkotike, mes të cilëve Dashamir Lumaj, 34 vjeç, Gjergji Rustemi, Klajdi Malollari, Floriant Sadikaj, 24 vjeç, Elton Ismailaj, 18 vjeç, Rexhep Selimaj, 30 vjeç, banorë të fshatit Llakatund e të qytetit të Vlorës, të cilët u ndaluan në kushtet e flagrancës. Sipas policisë, gjatë hetimeve rezulton se të gjithë të ndaluarit janë të implikuar në një rrjet të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, që punonte me porosi të caktuara me destinacion Greqinë. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale dy automjete, njëri i llojit Benz me targa VL 574 A dhe Tojota, me targë La 099VVM, një pasaportë të falsifikuar, si dhe 10 aparate celularë. Të ndaluarit akuzohen për veprat penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim, si dhe falsifikim të letërnjoftimeve dhe pasaportave, të parashikuara në nenet 283 dhe 189 të Kodit Penal.
...