E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Marrëdhëniet me Italinë do të intensifikohen më tej në të gjitha fushat

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, konfirmoi të shtunën se marrëdhëniet italo-shqiptare do të intensifikohen dhe më tej në të ardhmen, gjatë një vizite që po zhvillon të shtunën në provincën e Xhenovës në Itali. Sipas burimeve zyrtare nga Presidenca, gjatë kësaj vizite Kreu i shtetit është takuar me personalitete të rëndësishme të provincës së Xhenovas, si Presidentin e saj, Alesandro Repeto, Presidentin e Komitetit Rajonal, Klaudio Burlando, Presidentin e Këshillit Rajonal të Ligurias, Xhakomo Ronciti, me Presidentin e Këshillit Bashkiak, Xhorxho Guerelo dhe Kryetaren e Bashkisë së Xhenovas, Marta Vinçenci. Në këto takime është ritheksuar fryma e miqësisë shumë të mirë, që është zhvilluar tradicionalisht mes dy vendeve tona dhe është shprehur interesimi i përbashkët i palëve për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me qëllim rritjen dhe nxitjen e mëtejshme të tij. Presidenti Topi u shpreh edhe në emër të mbarë popullit shqiptar se marrëdhëniet me Italinë janë të shkëlqyera në të gjitha fushat, si marrëdhëniet dhe shkëmbimet e vizitave në nivelet më të larta politike, ashtu edhe ato ekonomike, tregtare dhe kulturore. Sipas tij, 'këto marrëdhënie do të intensifikohen edhe më tej, sidomos me Ligurian, duke patur parasysh afërsinë gjeografike, lidhjet e hershme historike e kulturore dhe shkëmbimet gjithnjë e në rritje ekonomike". Kreu i shtetit vlerësoi angazhimin e autoriteteve të provincës së Xhenovas në integrimin dhe mbarëvajtjen e jetesës së shqiptarëve, që jetojnë e punojnë atje, duke theksuar se ata janë një urë lidhëse e fortë mes dy vendeve dhe popujve tanë. Gjatë kësaj vizite, ai zhvilloi një takim të përzemërt dhe me përfaqësues të shumtë të bashkësisë shqiptare më të rëndësishme në Itali, që jeton në Xhenova dhe në Liguria, bashkësi e cila arrin deri në tetëmbëdhjetë mijë vetë. Përfaqësuesit e kësaj bashkësie kanë biseduar gjatë me Presidentin e Republikës duke u ndalur e interesuar mbi zhvillimet më të fundit në Shqipëri, reformat e kryera dhe arritjet e vendit tonë në proceset integruese.  Sot në mbrëmje, Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi janë ftuar nga autoritetet më të larta të Ligurias dhe i mirënjohuri drejtues artistik Paolo Bonolis në Teatrin Ariston, për të ndjekur natën finale të Festivalit të Këngës së San Remos, i cili ka mbërritur në edicionin e tij të 59-të.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›