E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet Rezoluta. PD-PS angazhohen në mbajtjen e zgjedhjeve sipas standardeve të BE-së



Eljona Ballhysa
Komisioni Parlamentar i Politikës së Jashtme ka miratuar dje Rezolutën për kërkesën që Shqipëria do t’i dërgojë Bashkimit Europian për të marrë statusin e kandidatit për anëtarësimin në BE. Anëtarët e Komisionit e kanë votuar unanimisht këtë rezolutë në të cilën partitë politike shqiptare angazhohen për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, në përputhje me standardet e BE-së. Gjatë mbledhjes së djeshme deputetët e kanë vlerësuar rezolutën paraprake të paraqitur nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ndërsa kanë propozuar shtimin e paragrafit që zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme të jetë kusht për Shqipërinë.
Propozimet
Ky propozim u bë nga deputeti i PS-së, Namik Dokle. Ai tha se “në Rezolutë duhet të shtohet paragrafi për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si një angazhim që Kuvendi vë para qeverisë”. Ndërsa deputeti republikan, Fatmir Mediu, vërejti se pas miratimit të saj duhet të ketë një angazhim më të madh të Kuvendit dhe qeverisë lidhur me axhendën për realizimin e pikave të saj. “Miratimi i projektrezolutës sjell domosdoshmëri për hapat që do të hidhen më pas. Duke filluar nga detyrimet e qeverisë përballë Kuvendit, por dhe të deputetëve si përfaqësues të popullit. Duhet të ketë një lobing të nevojshëm për të bërë të njohur që ky aplikim të shoqërohet me ecurinë në rrugën e integrimit”, - tha Mediu. Anëtari demokrat i Komisionit, Besnik Mustafaj, e konsideroi këtë dokument një hap të rëndësishëm në kuadër të procesit për anëtarësim në BE. “Klasa politike, maxhoranca sidomos, kanë pjekurinë e nevojshme për të hedhur një hap tjetër të rëndësishëm për t’u bërë kandidatë për anëtarësim në BE”, - është shprehur Mustafaj, ndërsa shtoi se nuk duhet t’i vihet kushte BE-së që të kthejë përgjigje ndaj rezolutës. “Mendoj se nuk është e drejtë që ne t’i vëmë kushte BE-së për një përgjigje lidhur me këtë kërkesë. Mendoj se do të ishte një inkurajim shumë i madh për qeverinë dhe Parlamentin dhe do ta quaja të dobishme nëse përgjigjja nga BE-ja vjen para zgjedhjeve”, - është shprehur Mustafaj. Pas diskutimit Komisioni votoi tekstin përfundimtar të rezolutës.
Rezoluta
Në rezolutë bëhet e qartë vendosmëria e Shqipërisë për të përmbushur objektivin madhor strategjik të integrimit në Bashkimin Europian. Duke u bazuar në Nenin 49 të Traktatit të Bashkimit Europian, lidhur me procedurat dhe kushtet e kandidimit e më pas të anëtarësimit, në rezolutë shkruhet se Kuvendi i Shqipërisë “deklaron përkushtimin e tij për konsolidimin e vlerave të lirisë dhe të shtetit të së drejtës, garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të diversitetit kulturor dhe ruajtjes së identitetit kombëtar të çdo vendi. Inkurajon qeverinë e Republikës së Shqipërisë që, në momentin e përshtatshëm, në konsultim edhe me vendet anëtare të Bashkimit Europian, të paraqesë aplikimin e Shqipërisë për të kaluar si vend kandidat në këtë organizëm dhe të raportojë për këtë në Kuvendin e Shqipërisë për ecurinë e negociatave. Shpreson dhe mirëpret që Parlamenti Europian, vendet anëtare dhe institucionet e tjera të Bashkimit Europian të marrin në konsideratë vendosmërinë dhe konsensusin që ekziston mes të gjitha forcave politike të Republikës së Shqipërisë dhe aspiratës së popullit të saj në lidhje me integrimin europian, ashtu sikundër ato shprehen edhe në frymën e kësaj rezolute.”

24 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›