E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bello: “Ministria e Jashtme është kthyer në çerdhe korrupsioni dhe nepotizmi”



Partia Socialiste reagon sërish ndaj skandalit të korrupsionit në ambasadat shqiptare në botë. Deputeti socialist, Marko Bello, dënoi indiferencën e qeverisë për të marrë masa ndaj këtyre rasteve korruptive. Sipas Bellos, korrupsioni në përfaqësitë tonë diplomatike është bërë me bekimin e ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha. Bello tha se Ministria e Jashtme është kthyer në një dikaster me organikë të fryrë, me korrupsion dhe me emërime nepotike. “Në fakt ajo që po ndodh sot në konsullatat shqiptare është vetëm maja e ajsbergut të dhjetëra skandaleve që pritet të shpërthejnë dhe që do të demonstrojnë se si është katandisur sot kupola e diplomacisë shqiptare, pra Ministria e Punëve të Jashtme, e cila është tërësisht jashtë funksionit dhe misionit të saj. Së pari, organika e MPJ-së është e stërfryrë, ndërsa dhjetëra punonjës janë kontraktuar jashtë strukturës zyrtare. Së dyti, kjo ministri ka 3 vjet që nuk kontrollohet nga KLSH-ja, ndaj gjejmë rastin t’i bëjmë thirrje këtij institucioni kushtetues të fillojë urgjentisht kontrollin për t'u dhënë fund shkeljeve ligjore dhe dëmeve të mundshme financiare. Së treti, Ministria e Punëve të Jashtme është kthyer në një çerdhe dhe strehë e ngrohtë për fëmijët e ministrave, deputetëve dhe zyrtarëve të tjerë të partisë në pushtet, të cilët dërgohen me bursa jashtë shtetit apo emërohen si diplomatë në përfaqësitë tona jashtë vendit, duke shkelur kriteret e karrierës dhe konkurrencës”, - tha Bello.

24 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›