Operimi kushtëzohet me kontratë

FC Prishtina gjithmonë është në qendër të vëmendjes si një klub që duhet të merret shembull nga skuadrat tjera kosovare.
Bardhekaltrit shpenzuan para të majme për angazhimin e trajnerit gjerman Wolfgang Jerat, me qëllim që ta riorganizojnë klubin dhe ta bëjnë atë me standarde evropiane.
Pas kësaj, prishtinasit bënë edhe kërkesë në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), që t’i pranojë në Superligën e Shqipërisë, me synimin që t’i hapin vetes rrugë për dalje në arenën ndërkombëtare.
Por, në anën tjetër, drejtuesit e klubit bardhekaltër nuk po sillen në mënyrë profesionale me futbollistët e tyre. Rasti i fundit është ai i Behar Maliqit, i cili ka lënduar gjurin javë me parë gjatë angazhimeve me FC Prishtinën.
Mesfushorit tani i duhet të operohet dhe, sipas Maliqit, të gjitha shpenzimet rreth operimit është e obliguar t’i paguajë klubi i Prishtinës – pasi kjo është e nënshkruar edhe në kontratë.
Maliqi ka lënë të kuptohet se Prishtina është e gatshme t’ia mbulojë shpenzimet e operimit, por me kusht që paraprakisht ta vazhdojnë kontratën mes tyre, e cila skadon gjatë verës.
“Unë kam kontratë me Prishtinën deri në qershor. Klubi më ka ofruar kontratë të re, por ende nuk kemi arritur marrëveshje. Klubi nuk do të mund të llogaritë në shërbimet e mia në këtë sezon, kështu që nëse e vazhdojmë kontratën, klubi do m’i paguajë shpenzimet e operimit”, ka deklaruar Maliqi për Express.
“Janë disa mosmarrëveshje të vogla në mes nesh, të cilat mund të zgjidhen. Në kontratën time shkruan se klubi e ka obligim të ma paguajë çfarëdo lëndimi, i cili ndodh në stërvitje ose në ndeshje”, shtoi ai.
Por, Maliqi ka paralajmëruar se nuk do të presë gjatë. Ai thotë se brenda pak ditësh do t’i nënshtrohet intervenimit kirurgjik, pavarësisht se a do t’ia paguajë atë Prishtina apo jo. Nëse bardhekaltrit nuk e bëjnë një gjë të tillë, Maliqi duhet t’i nxjerrë nga xhepi i tij rreth 3 mijë euro.
“Sidoqoftë, unë do të operohem 100 për qind gjatë kësaj jave ose javën tjetër, sepse mjaft kam pritur. Pa marr parasysh se çfarë do të bëhet me Prishtinën, unë do të operohem. Nëse është nevoja, do ta paguaj vetë, edhe pse kam premtime se këtë punë mund ta bëjë klubi. Do të operohem në Maqedoni. Operimi do të më kushtojë rreth 3 mijë euro”, theksoi reprezentuesi kosovar.
Në anën tjetër, edhe kryetari i Prishtinës, Remzi Ejupi, ka treguar se është i gatshëm t’i mbulojë shpenzimet e operimit të Maliqit me kusht që mesfushori ta vazhdojë kontratën me skuadrën bardh e kaltër.
“Beharin e kam udhëzuar qysh moti për t’u operuar. Ai ka pritur shumë gjatë. Kjo punë duhet të shkojë nëpërmjet klubit e jo individualisht. Ne në të kaluarën kemi vërtetuar se jemi të gatshëm t’ua heqim shpenzimet e operimeve futbollistëve tanë, siç ka qenë rasti i Isuf Llumnicës, etj. Behari veç le ta kryejë operimin, ne do t’i heqim shpenzimet, por sigurisht se ai duhet të jetë lojtar i yni”, tha Ejupi i cili kritikoi lojtarët.
“Futbollistët e sodit nuk janë të kujdesshëm, shëtisin nëpër kafene deri në orët e vona dhe kur t’u del gjumi të nesërmen, në orën 12:00, iu bie ndërmend që duhet të operohen”, theksoi ai.
Një përplasje mes Maliqit e Prishtinës kishte ndodhur edhe gjatë verës së shkuar, por tifozët ‘Plisat’ ishin ata që e kishin ndalë në kryeqytet mesfushorin, i cili në atë kohë ishte pranë largimit.
Prishtina sfidon Vllazninë
Skuadra e Prishtinës, e cila po zhvillon fazën përgatitore për pjesën e dytë të sezonit, të enjten (sot) do të udhëtojë drejtë Shkodrës për ta zhvilluar një ndeshje miqësore me Vllazninë.
“Prishtina qysh nesër do të luajë ndeshjen e parë ndërkombëtare për vitin 2012. Ne do të luajmë miqësoren kundër Vllaznisë së Shkodrës. Ndeshja do të luhet në “Loro Boriçi” nga ora 14:30”, ka thënë nënkryetari i FC Prishtinës, Afrim Muçiqi.