Shkurtaj: Djalin do ta vesh “kuqezi”
Adrian Skurtaj, babai i futbollistit të talentuar që luan te Olimpiakosi, ka thënë se djali i tij, Vasili do të luajë për Shqipërinë në të ardhmen. “Nuk është e vërtetë se ne dribluam që djali ynë të luante me përfaqësuesen shqiptare. Ai do të luajë me Shqipërinë sido që të shkojnë punët dhe çfarëdo oferte që të marrim ne. Kjo nuk do të ndodhë, vetëm në rast se ai nuk do të marrë ftesë”, ka thënë për “Panorama Sport”, i ati i lojtarit 17-vjeçar. Sulmuesi Shkurtaj shpesh herë krahasohet me Ibrahimoviçin tek të rinjtë e Olimpiakosit. “Djali im nuk u paraqit me kombëtaren U-19 në miqësoren që kjo e fundit, zhvilloi pak ditë më parë me Qipron, për shkak se ftesa e FSHF-së erdhi me vonesë në klubin e Olimpiakosit. Erdhi pikërisht një ditë para se të fillonte grumbullimi, ndaj klubi refuzoi ta linte të lirë Vasilin – ka shpjeguar babai i lojtarit – Unë mendoj se ka qenë një lapsus nga ana e Federatës dhe jam i bindur se nuk ka asgjë të qëllimshme në këtë mes. I kisha blerë edhe biletat për të ardhur në Tiranë, por gjërat nuk shkuan sipas planit. Sapo të marrim ftesën tjetër, nëse do të ketë një të tillë, djali im do të vijë aty menjëherë. Ne jemi shqiptarë dhe djalin tim e kam edukuar që ta dojë Shqipërinë dhe të ndihet krenarë që është nga ky vend. Është e vërtetë që kemi shumë vite që jetojmë këtu, madje djali im ka ardhur fare i vogël, por ai flet shumë mirë shqip dhe ju siguroj se dëshiron të luajë vetëm për Shqipërinë”. Shkurtaj me origjinë nga Vlora ka realizuar 11 gola deri tani me skuadrën e të rinjve të Olimpiakosit.