E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oponenca kolektive, pro dhe kundër në grupin e punës

Statuti Javës që vjen, gati draftet e nëngrupeve për ndryshimet përkatëse

Oponenca kolektive vijon të sjellë ndarje dhe të reflektojë mendime të ndryshme në selinë rozë. Edhe pse përmes një pyetësori, mbi 70% e bazës mendon se nuk duhet legalizuar oponenca kolektive, grupi i punës i ngritur pranë selisë rozë vijon ta ketë ende në axhendën e punës së tij këtë çështje. Burime nga selia rozë konfirmuan se grupi i punës ka zhvilluar sërish një tjetër mbledhje. Nëngrupi i punës që diskuton edhe për oponencën kolektive ka ndarë mendime të ndryshme në lidhje me këtë, ku disa anëtarë janë shprehur pro kësaj ideje, në mbështetje edhe të një platforme të paraqitur nga një prej anëtarëve, Maqo Lakrori, dhe një pjesë tjetër kundër saj. Tre nëngrupet kanë shkëmbyer dje mendime mes njëri-tjetrit, duke vendosur që javën e ardhshme të paraqesin draftet përkatëse, duke i ridiskutuar sërish mes tyre, në mënyrë që të përmirësimi i tyre të jetë i pranueshëm nga të gjithë anëtarët e grupit. Anëtarët e grupit të punës janë njohur me rezultatin e një pyetësori, i cili i është shpërndarë anëtarësisë para disa muajsh dhe kanë ndarë detyrat mes tyre. Aktualisht një grup po merret me përmirësimet e dispozitave të përgjithshme të statutit. Grupi i dytë do të ketë si objekt të punës strukturat organizative të partisë në nivel vendor. Sa i takon nëngrupit të tretë, puna e tij do të fokusohet në ndryshimet apo ndërhyrjet në organet drejtuese qendrore. Më pas, këto tre minigrupe do të paraqesin një platformë që do u paraqitet strukturave vendore, siç janë asambletë në çdo degë.

Në bazë të ndarjes që ka bërë grupi i punës, duket se vala e ndryshimeve do të përfshijë organizimin dhe funksionimin e partisë ku përfshihen si strukturat drejtuese në bazë, ashtu dhe ato në qendër. Njëkohësisht, këto ndryshime pritet të prekin dhe mënyrën sesi do të zgjidhen përfaqësuesit e forumeve drejtuese të kampit rozë, kjo nisur nga vetë elementet e statutit ku lidershipi socialist ka zgjedhur që të ndërhyhet. Sakaq, pas analizës që u janë bërë përgjigjeve të pyetësorit, lidershipi socialist duket se ka përthithur një mendim të përgjithshëm rreth asaj se çfarë mendon baza mbi fraksionet. Por ky mendim nuk i jep këtu fund debatit për legalizimin e mendimit ndryshe në parti, një çështje që rikthehet për debat sa herë që ka plan për ndryshime të librit të rregullores. I takon këtij grupi që të diskutojë mbi idetë dhe platformat që janë hedhur së fundmi nga figura të ndryshme të partisë, për të vendosur nëse këtë herë do i hapet dritë jeshile legalizimit të mendimit ndryshe. Grupi i punës në përfundim të gjithë procesit do të hartojë një draft paraprak, proces ky që pritet të përfundojë në periudhën prill-maj, i cili do t’u kalojë për dijeni strukturave drejtuese në bazë. Më pas, drafti përfundimtar do të kalojë për miratim në forumet më të larta vendimmarrëse të PS-së. Duke pasur parasysh se drafti do kalojë së pari për diskutim në kryesi, e mandej në asamblenë kombëtare, relativisht, është zhvillimi i kongresit që është paralajmëruar për në fillim të prillit të shtyhet për në muajin maj.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›