Policia ska vende vakante, por pranon njëmijë kandidatë
Policia hap konkursin e radhës për personat që dëshirojnë të hyjnë në polici, por ende nuk e ka të qartë sesa prej tyre do të pranojë në punë, pavarësisht se janë mbi 1 mijë persona që kanë kërkuar të jenë në radhët e uniformave blu. Kjo vjen për shkak të fryrjes së numrit të punonjësve të policisë me strukturën e re të policisë, ndërkohë që mund të rrezikojë edhe vendimmarrjen e të rinjve, që kërkojnë të jenë pjesë e strukturave të ruajtjes së rendit, pavarësisht se kanë gjithë mundësitë për të qenë të tillë. Vetëm pak ditë më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit njoftoi për datat e konkurrimit për të hyrë në shkollën e policisë, për të gjithë ata persona që kanë aplikuar për një çështje të tillë deri në fund të vitit 2009. Në lidhje me këtë, Policia e Shtetit deklaroi se të gjithë kandidatët e interesuar për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme”, të cilët kanë dorëzuar dokumentacionin pranë strukturave të personelit të Drejtorive të Policisë në Qarqe për periudhën prill-dhjetor 2009, do t’i nënshtrohen testimit me shkrim sipas disa datave të përcaktuara. Por, për herë të parë policia nuk tregoi sesa është numri maksimal i pranimeve në polici nga këto kandidatura. Nga të dhënat e mbledhura nga gazeta, rezultoi se ende policia nuk e ka të qartë sesa persona do të punësojë në radhët e uniformave blu, duke ndjekur shkollën e policisë, pavarësisht se mban peng gjithë kandidatët e regjistruar.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës prill-dhjetor 2009, janë regjistruar për kandidim në shkollën e policisë mbi njëmijenjëqind persona. Gjatë gjithë kësaj kohe, ata kanë pritur me shpresë se një ditë do të jenë pjesë e policisë shqiptare. Tashmë, në datat e deklaruara zyrtarisht nga policia, ata do t’u nënshtrohet testeve me shkrim, me gojë dhe fizik. Gjatë këtyre testimeve do të shihen më të mirët, ndërsa më të dobëtit do të përcillen në shtëpi, pasi nuk përmbushin standardet për të qenë punonjës policie. Por, çështja qëndron me ata që plotësojnë kushtet. Sa prej tyre do të jenë pjesë e policisë dhe sa prej tyre do të detyrohen të kthehen mbrapsht, pavarësisht se kanë plotësuar gjithë standardet, pasi policia nuk ka nevojë për ta.
Në lidhje me këtë, policia nuk jep dot një përgjigje zyrtare. Sipas të dhënave, do të vlerësohet numri i nevojshëm për punonjës policie dhe ai do të publikohet më vonë. Kjo do të studiohet në bazë të punonjësve të policisë, që largohen për arsye të ndryshme. Në këto arsye futen që nga largimi me dëshirë i punonjësve të policisë, përjashtimi i tyre, dalja në pension të parakohshëm, në pagë kalimtare, apo edhe braktisja e këtij profesioni. Pasi të shikohen të gjitha këto mundësi dhe të vlerësohet sa është numri i përgjithshëm i tyre, atëherë do të vendoset sa do të jetë numri i pranimeve nga këta kandidatë. Pra, kandidatëve u duhet të presin për fatin e tyre, e në fund, mund të mbeten edhe pa shkollën e policisë. Gjithashtu, policia tha se për numrin e tyre mund të ndikojë edhe ndryshimi i strukturave të policisë, pasi mund të lindë nevoja për forca të reja.
Policia e Shtetit, përmes këtij procesi, që është ndërtuar bazuar në metodat më të mira perëndimore, synon përzgjedhjen e kandidatëve sa më cilësorë për të shërbyer si punonjës policie. është objektiv parësor i Policisë së Shtetit të përzgjedhë vetëm kandidatët e kualifikuar si më të mirët, përcaktuar nga një proces i drejtë, transparent dhe i plotë përzgjedhje, në mënyrë që të përmbushë me sukses misionin e saj dhe të sigurojë një shërbim cilësor për qytetarët.
#