E Diel, 1 Nëntor 2026

Tahiri: Qeveria Berisha, përgjegjëse për korrupsionin

Reagimi Raporti i DASH-it, PS bën analizën

Partia Socialiste akuzoi direkt Kryeministrin Berisha si përgjegjës për gjithë çfarë reflektohet në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për Shqipërinë. Deputeti i kësaj partie, Saimir Tahiri, vuri në dukje se është përtej çdo dyshimi se Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit, ashtu si edhe raportet e pothuajse të gjithë partnerëve ndërkombëtarë që kanë monitoruar dhe vlerësuar Shqipërinë, pasqyron gjendjen reale të zhvillimeve në vendin tonë, gjendje që fatkeqësisht nuk është ashtu siç kërkon ta shesë qeveria.

Tahiri vlerësoi se kjo mazhorancë është përgjegjëse jo vetëm pse nuk e ka luftuar përhapjen masive të korrupsionit, por mbi të gjitha është përgjegjëse pse ka kontribuar aktivisht që metastazat e korrupsionit të përhapen edhe në shtresat më të larta të pushtetit, m’u aty afër Kryeministrit dhe mazhorancës.

“Kryeministri është përgjegjës, vijoi ai, jo vetëm pse gënjen shqiptarët dhe ndërkombëtarët me gjoja luftën e pakompromis kundër korrupsionit, por pikërisht pse ka bërë kompromis me interesa korruptive për pushtetin e tij familjar dhe politik, duke marrë në mbrojtje ata që jo vetëm ne, por e gjithë bota anembanë i njeh si ministra të akuzuar për korrupsion, por të shpëtuar nga Kryeministri me komardaren e imunitetit”. Më tej, në vlerësimin e tij, Tahiri theksoi se kjo mazhorancë është përgjegjëse jo vetëm pse për turp ka katandisur vendin pas Ruandës e Ugandës në listën e zezë të vendeve më të korruptuara të planetit, por edhe sepse nuk ndjen më të voglin detyrim të ulë kokën, t’u kërkojë ndjesë shqiptarëve dhe të bëjë ç’është e mundur të riparojë ç’të mundet në kaq kohë sa i ka mbetur.

Tahiri iu referua disa prej zërave që përmenden në këtë raport, siç është vlerësimi se Policia e Shtetit ka performancë mjaft të dobët, për shkak të korrupsionit, rekrutimit të militantëve dhe sjelljes joprofesionale. Raporti përmend edhe çështjen e problemeve me pronat, sistemin arsimor, korrupsionin qeveritar etj.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›