Opozita: Alternativa kemi, por nuk përfillen nga Qeveria

Njëqind ditët e para të Qeverisë së Kosovës janë kritikuar në mënyra të ndryshme nga ana e opozitës, por edhe opozita për këto 100 ditë të saj, nuk ka mbetur pa u kritikuar nga ana e pozitës. Zyrtarët qeveritarë disa herë kanë përsëritur që opozita nuk duhet të fyejë dhe ofendojë, por duhet të ofrojë alternativa. Në fakt, ky është mandati legjislativ në të cilin ‘fjalori parlamentar’ është tejkaluar shpeshherë nga opozita në mënyrë të veçantë nga grupi më i ri politik, Lëvizja Vetëvendosje.
Përderisa drejtuesit e Qeverisë konsiderojnë se opozita, në mënyrë të veçantë Vetëvendosja si më e zhurmshmja nuk po ofron alternativa, përfaqësuesit e partive opozitare theksojnë se kanë ofruar alternativa të shumta gjatë kësaj periudhe, ndërkohë ata të Vetëvendosjes thonë se vetë vetëvendosja e popullit është alternativa kryesore.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi si një balancues i forcave politike në Kuvendin e Kosovës, nuk dëshiron të japë komente sa i përket angazhimit të opozitës dhe ofrimit të ideve, duke thënë se një vlerësim më të drejtpërdrejtë do ta jepte më mirë ajo që është e atakuar gjithmonë nga opozita, Qeveria e Kosovës.
“Ndoshta një vlerësim më të drejtpërdrejtë dhe më obligativ të opozitës mund ta japë Qeveria e Kosovës se fundja gjithë vërejtjet dhe kritikat e opozitës janë të drejtuara kundër ekzekutivit dhe jo kundër institucioneve tjera”, ka thënë Krasniqi për Kosovapress.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi të mërkurën për të disatën herë ka thënë se opozita duhet të ofrojë alternativa, përderisa për akuzat duhet të ofrojë prova.
“Nuk e thash që Vetëvendosja duhet të ketë prova, por u kam thënë dhe po them prapë le të bëjnë politikë, le të japin alternativa, le të kritikojnë, të mos ofendojnë. Kjo ka qenë logjika ime dhe po i ftoj prapë dhe unë mendoj që ka parti që e kanë humbur kauzën. Ofendimet bëhen shumë lehtë, mirëpo edhe ne dimë të ofendojmë, por se kemi ndërmend me ra në atë nivel”, ka thënë Kuçi.
Lutfi Haziri nga partia më e madhe opozitare, LDK, konsideron se çfarëdo alternative që t’i ofrohet Qeverisë ajo nuk e merr, por vepron ashtu si do vetë dhe kjo, sipas tij, po e çon vendin drejt krizës. Ai ka thënë se LDK-ja ka ofruar mjaft alternativa, mes të cilave më kryesorin, zbatimin e ligjit, porse nuk mund të qeverisë në vend të PDK-së.
“LDK-ja Kosovës ia ka ofruar alternativën e parë, menjëherë pas zgjedhjeve për presidentin e Republikës. E ka konstatuar përmes Gjykatës Kushtetuese që është shkelur Kushtetuta dhe ka ofruar alternativën për zgjedhjen konsensuale të presidentes të Republikës dhe ka vazhduar me konstruktivitet dhe me angazhim opozitar. Por LDK-ja nuk mund ta qeverisë në emër të PDK-së vendin”, ka thënë Haziri.
Ndërkaq Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje thekson se alternativat e kësaj lëvizje janë të shumta dhe të bollshme, jo vetëm prej se është pjesë e Kuvendit, por prej që ekziston si lëvizje.
“Ne u kemi thënë që edhe në rrafshin politik dhe politikës madhore, pra të negociatave me Serbinë ne u kemi thënë se Vetëvendosja është alternativë, që populli vetë të vendos për fatin e Kosovës. Pra kjo është alternativë, pa çka se qeveritarëve nuk u pëlqen. E dyta kemi thënë mos i privatizoni kompanitë publike, se këto kompani publike mund të jenë profitabile, siç është rasti i postës. Pra mos privatizimi i postës është alternativë. Nuk është e domosdoshme që të privatizohet posta. U kemi thënë që mos shkoni në negociata me Serbinë pa vënë kushte. i kemi ofruar dhjetë kushte, e kemi sjellë rezolutën në Kuvend me ato dhjetë kushte e cila është dashur të votohet nga deputetët, por këta e kanë refuzuar kategorikisht”, është shprehur Ymeri.
Kurse, Burim Ramadani nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përmend rritjen e buxhetit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe krijimin e Ministrisë së Diasporës të cilat, sipas tij, kanë qenë alternativa të AAK-së, por për të cilat nuk ka marrë falënderim nga Qeveria.
“Gjatë kësaj periudhe unë besoj se ka pasur alternativa të mira që janë dhënë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, disa prej të cilave edhe janë marrë, pavarësisht se nuk ka pasur falënderim publik prej Qeverisë, sepse këtë falënderim publik nuk e presim asnjëherë”, ka thënë Ramadani për Kosovapress.
Sido që të jetë, ajo që është vërejtur dukshëm gjatë këtij mandati ka qenë gjuha e përdorur nga ana e opozitës, e cila është më e vrazhdët se në mandatet e kaluara.
Kryeparlamentari Krasniqi pranon se gjatë këtij mandati gjuha e përdorur në Kuvend ka dalë shpeshherë jashtë ‘fjalorit parlamentar’, për shkak të, siç ka thënë ai, prezencës së një grupacioni politik pa përvojë parlamentare, siç është Lëvizja Vetëvendosje.
“Mendoj se ata persona që kanë përdorur fjalë jo parlamentare më shumë kanë dëmtuar veten si përfaqësues të një grupi politik, sesa që kanë dëmtuar anën e kundërt. Prandaj ata do ta mbajnë përgjegjësinë e tyre për fjalët që përdorin. Fundja, sharjet dhe fyerjet janë mungesë e argumenteve”, ka thënë Krasniqi.
Megjithatë, sipas kryeparlamentarit Krasniqi, ajo pjesë e opozitës që nuk ishte mësuar me jetën parlamentare ka filluar të adaptohet me punën në institucione dhe duke e pasur parasysh këtë, ai ka thënë se Kuvendi i Kosovës ‘prinë me urtësi’ ndër të gjitha Kuvendet e rajonit./kosovapress/