Çekia mbështet proceset integruese të Kosovës
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur të enjten homologun e Republikës Çeke, Karel Schwarzenberg, i cili po qëndron në vizitë zyrtare në Kosovë.
Pas takimit, Ministri Enver Hoxhaj ka vlerësuar lartë kontributin e madh e të kamotshëm të Ministrit Schwarzenberg për Kosovën, duke e cilësuar atë një mik të madh të Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Hoxhaj e ka falënderuar shefin e diplomacisë çeke për njohjen e Kosovës nga ky shtet, për mbështetjen e fuqishme përmes pranisë ushtarake në kuadër të KFOR-it dhe për mbështetjen financiare të projekteve të ndryshme në Kosovë.
Ministri Hoxhaj ka bërë të ditur se gjatë takimit me homologun çek është diskutuar për bashkëpunimin e ngushtë bilateral, i cili do të forcohet edhe më tej mes dy shteteve. “Ky bashkëpunim mes institucioneve të shërbejë për forcimin e lidhjeve mes popujve tanë, bashkëpunimin mes shoqërive, qytetarëve, njerëzve të medieve, kulturës, universiteteve”, tha Hoxhaj.
Ministri kosovar ka falënderuar Ministrin Schwarzenberg edhe për investitorët të cilët i ka sjellë me vete në këtë vizitë, të cilët pritet që në të ardhmen të investojnë në Republikën e Kosovës.
Hoxhaj ka kërkuar vazhdimin e mbështetjes së Çekisë në proceset integruese të Kosovës, me theks të veçantë për procesin e liberalizmit të vizave, marrjen sa më të shpejt të udhërrëfyesit për këtë proces si dhe vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës Çeke, Karel Schwarzenberg, ka thënë se gjatë takimit me Ministrin kosovar është diskutuar për mënyrat e afrimit të Kosovës me BE-në dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve.
Ai ka thënë se është biseduar edhe për sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova, duke shprehur shpresën se në të ardhmen Kosova do të zërë vendin e saj në Bruksel. “Ne mbështesim integrimin e Kosovës dhe të gjitha vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në BE, dhe këto shtete duhet të kenë prioritet në politikat e tyre anëtarësimin në BE, me meritat e tyre”, ka thënë Ministri i Jashtëm i Çekisë.
Lidhur me kushtëzimin eventual të anëtarësimit të Serbisë në BE me njohjen e Kosovës, Karel Schwarzenberg ka thënë se nuk mendon se duhet të vendosen kushte për palët. Por, siç tha ai, është e rëndësishme që Serbia të sillet si fqinj miqësor dhe të ketë hapa praktik mes dy shteteve.
Sipas tij, nëse Serbia do të anëtarësohet në BE, ajo pikë se pari duhet të zgjidh problemet me fqinjët e saj në përputhje me kriteret e Kopenhagës, duke e përjashtuar mundësinë që Serbia më pas do të mund të pengoj vendet tjera që të bëhen anëtare të BE-së, për shkak të problemeve bilaterale.
Kurse, Ministri i Jashtëm i Kosovës, ka thënë se vetëm përmes pranimit të realitetit në Kosovë do të ketë mundësi që politika në Serbi dhe qytetarët e saj të fokusohen në problemet e brendshme. “Ka kaluar koha kur popujt dhe elitat politike synojnë ta gjejnë fatin jashtë kufijve të shteteve të tyre. Fati i popujve është brenda kufijve dhe territoreve të shteteve përkatëse”, ka thënë Hoxhaj.
Ai ka kërkuar që Kosova si akti i fundit i shkapërderdhjes të Jugosllavisë mos të mbetet vonë në proceset integruese dhe Kosova të mos mbetet një vend i izoluar dhe populli i saj të mos mbetet një popull i harruar, në rrugën e agjendës së integrimeve evropiane.