E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka kundërshton shkarkimin e Fran Kullës: “PD-ja ka kapur institucionet”



Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka kërkuar gjatë seancës së djeshme të hiqet nga rendi i ditës shkarkimi i anëtarit të KRRT-së, Fran Kulla. Ndoka theksoi se Kulla nuk është anëtar i Partisë Demokristiane dhe nuk mban asnjë post politik, ndaj dhe nuk duhet të shkarkohet. “Unë ju them se ky person nuk është anëtar i PDK-së dhe është tërhequr nga të gjitha funksionet politike. Ky person ka pasur qëndrim kundër gjobave të vendosura ndaj mediave, ndaj dhe është marrë vendimi për shkarkim”, - është shprehur Ndoka. Më tej ai ka hedhur akuza kundrejt qeverisë dhe maxhorancës, të cilët kanë bërë përpjekje për të kapur të gjitha institucionet shtetërore. “Ju, zotërinj të maxhorancës, po tregoheni të rrezikshëm duke ndërhyrë me dhunë tek institucionet ndaj bëheni të pabesueshëm ndaj qytetarëve për çdo rast që ndodh. Këtu del policia dhe thotë se gjahtarin e vrau lepuri. Janë gjëra që nuk besohen. Ju ushtroni presione nga më të ndryshme dhe metoda të tilla janë antidemokratike. Kjo është një erë e keqe për demokracinë shqiptare, për këtë maxhorancë për lidershipin e PD-së”, - është shprehur Ndoka, ndërsa premtoi se PDK do të luajë rolin e një opozitë të fortë kundrejt veprimeve të qeverisë.

16 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›