Gjykata Administrative, OECD sugjeron zgjatjen e afateve për shqyrtimin e çështjeve
Komisioni Parlamentar i Ligjeve shqyrtoi gjatë mbledhjes së djeshme projektligjin për ngritjen e Gjykatës Administrative. I pranishëm në Komision ishte drejtori i OECD-së, Vofgang Rush, i cili u sugjeroi deputetëve shqiptarë që të zgjasin afatet e gjykatës për dhënien e vendimeve për një çështje. Sipas tij, afati prej dy muajsh, i parashikuar në ligj, është shumë ambicioz dhe i paarritshëm nga gjyqtarët për të shqyrtuar një çështje. Vofgang Rush bëri të ditur se shkurtimi i afateve sjell mungesën e cilësisë së vendimeve. Ai sqaroi se vendet e Bashkimit Europian i kanë afatet nga 5 muaj deri në 2 vjet. “Është shumë i rëndësishëm përshpejtimi i procedurave në dhënien e vendimeve. Por është e rëndësishme dhe cilësia e një vendimi. Afatet e parashikuara në draft janë shumë të shkurtra dhe ambicioze. Por një çështje e komplikuar kërkon afatin e saj për t’u shqyrtuar, pasi gjyqtarëve u duhet kohë për të lexuar dosjen për të marrë një vendim”, - është shprehur drejtori i OECD-së. Ai vlerësoi faktin se projektligji është hartuar në bashkëpunim me ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë, OECD-së dhe grupeve të tjera të interesit. Vofgang Rush gjithashtu e konsideroi ligjin të mirë, por jo perfekt dhe plotësisht në përputhje me standardet e Bashkimit Europian. Drejtori i OECD-së u sugjeroi deputetëve shqiptarë që ligjit t’i bëhen përmirësime të mëtejshme pas një periudhe të caktuar, pasi ai të jetë zbatuar në praktikë. Ndërsa kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, bëri të ditur se shkurtimi i afateve për dhënien e vendimeve është bërë për shkak se shumë çështje janë pezulluar për shkak të zgjatjes së afateve. Rusmali e ka cilësuar një plagë të sistemit të drejtësisë mosdhënien e vendimeve të gjykatave brenda afateve të caktuara. Sipas tij, ky është shkaku që ligji parashikon afate të shkurtra.
13 Nentor 2008