E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi, Berisha e Bregu theksojnë rëndësinë e bashkëpunimit

04/02/2009  Takimet e kryeparlamentarit suedez

Presidenti i Republikës Bamir Topi në takimin që zhvilloi me Kryetarin e Parlamentit të Suedisë Per Westerberg vlerësoi pozitivisht nivelin në rritje të bashkëpunimit dypalësh midis dy vendeve tona dhe nënvizoi vullnetin për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve tona. Kreu i shtetit shqiptar theksoi se reformat kushtetuese, zgjedhore dhe ato në drejtësi mbeten faktorë të rëndësishëm jo vetëm në ecurinë pozitive të zhvillimeve, por dhe në nxitjen e proceseve integruese të Shqipërisë. Nga ana e tij Kryetari i Parlamentit suedez shprehu mbështetjen e vendit të tij në forcimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, duke shtuar se klima e mirë dhe e sigurt në vendin tonë është e favorshme si për rritjen e shkëmbimeve tregtare e ekonomike, ashtu dhe për rritjen e interesit të investitorëve suedezë. Kryeparlamentari suedez në vijim të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë ka pasur një takim edhe me kreun e qeverisë shqiptare. Gjatë këtij takimi kryeministri Sali Berisha u ndal veçanërisht në reformat që ka ndërmarrë qeveria shqiptare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, fenomene të cilat më parë ishin shndërruar në pengesa serioze për procesin e integrimit të vendit në strukturat euroatlantike. Gjithashtu Kryeministri e njohu Kryetarin e Parlamentit të Suedisë me reformat në fushën ekonomike, duke evidentuar faktin se Shqipëria është tashmë vendi me barrën fiskale më të ulët në Europë. Duke u ndalur në reformat politike, Kryeministri tha se mazhoranca ka bashkëpunuar ngushtë me opozitën për realizimin e reformës zgjedhore, ndryshimeve kushtetuese dhe reformës në sistemin e drejtësisë. Kryeparlamentari suedez Westerberg vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në kuadër të procesit të integrimit dhe u shpreh se gjatë këtyre viteve Shqipëria ka bërë hapa të shkëlqyer. Ai vlerësoi rolin konstruktiv që Shqipëria ka luajtur për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit.

Kryetari i Parlamenti të Suedisë pat një takim të veçantë edhe me ministren Majlinda Bregu. Ministrja e Integrimit nënvizoi faktin se qeveria shqiptare, por edhe forcat e tjera politike në vend po punojnë për të krijuar strukturën e përshtatshme për të siguruar zhvillimin e një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm. Zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare sipas standardeve do të ndikonte pozitivisht në trajtimin e aplikimit të anëtarësimit të Shqipërisë. Ministrja Bregu informoi kryetarin Westerberg se pas dialogut me vendet anëtare të BE-së Shqipëria ka vendosur të aplikojë për statusin e vendit kandidat gjatë presidencës çeke, pasi Çekia e konsideron zgjerimin prioritet të saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›