E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Punës: Dekreti për falje i Presidentit, kontribut për barazinë gjinore



“Drejtoria e Politikave të Shanseve të Barabarta, struktura përgjegjëse shtetërore për Barazinë Gjinore dhe Dhunën në Familje, përshëndet dekretin e Presidentit të Republikës, z. Bamir Topi, për faljen apo uljen e dënimit të 37 të burgosurve, shumica e të cilëve janë gra”. Në një reagim të shpërndarë dje nga kjo strukturë e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, thuhet se “vetëm një ditë pas anëtarësimit zyrtar në organizatën e Atlantikut të Veriut, një tjetër gëzim ka mbushur atmosferën familjare të 37 të dënuarve, shumica e të cilëve janë gra”. Mesazhi vijon: “Janë gra, fajtoret pa faj të trysnisë së sotme, të diskriminimit dhe dhunës gjinore.
Janë nëna që i kthejnë fëmijëve të tyre ninullën e harruar dhe përkëdheljen e ngrohtë të nënës në mbrëmjet e gjata pa gjumë, familjarëve të ngujuar para kangjellave të hekurta të pritjes gëzimin, shoqërisë mesazhin e paqes, tolerancës dhe përkushtimit...”.
“Dekreti i presidentit Topi është një mesazh i madh për të gjithë shoqërinë shqiptare, një apel ndaj shkaktarëve të burgosjes, një apel ndaj përgjegjësive të të gjithë aktorëve dhe faktorëve të shoqërisë shqiptare, për të marrë të gjitha masat dhe veprimet e duhura në sigurimin dhe garantimin e së drejtës për të qenë të barabartë në një shoqëri të barabartë, për të garantuar të drejtën e barabartë për arsimim, kualifikim, punësim dhe pjesëmarrje në të gjitha fushat”, - thuhet në reagimin e Drejtorisë së Politikave të Shanseve të Barabarta. “Qeveria shqiptare në vitet e fundit ka kurorëzuar me sukses një aksion gjithëpërfshirës politiko-legjislativo-institucional për të luftuar dhunën me bazë gjinore dhe garantuar të drejta të barabarta të grave dhe burrave. Një sfidë reale dhe gjithëpërfshirëse shtron procesi i gjatë dhe i vështirë i implementimit të tyre”, - thuhet në njoftimin zyrtar. “Sot, si kurrë ndonjëherë, dhunimi familjar apo ai gjinor përbën shkelje flagrante të të drejtave të njeriut dhe cenim të së drejtës publike jo vetëm asaj private. Sot, si kurrë ndonjëherë, dekreti i presidentit Topi është një kontribut real në sfidën e gjatë dhe të vështirë të arritjes së barazisë gjinore dhe luftimit të dhunës gjinore...”, - përfundon reagimi i zyrtar i këtij institucioni.

7 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›