E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita: Raporti britanik për Shqipërinë, konstatime të drejta

Partia Socialiste bashkohet me shqetësimet e shprehura në raportin e Ministrisë së Jashtme Britanike për Shqipërinë. Deputeti i kësaj partie, njëherësh edhe kryetari i Komisionit të Integrimit në PS, Taulant Balla, tha dhe se Grupi Parlamentar, pasi u njoh me vlerësimet e Ministrisë së Jashtme Britanike mbi situatën e të drejtave të njeriut dhe problematikën e funksionimit ligjor, vëren dhe ndan të njëjtat shqetësime me konstatimet e bëra në disa sektorë shumë të rëndësishëm.

Balla evidentoi disa shqetësime të këtij raporti, duke nënvizuar atë që thuhet për nivelin e korrupsionit. "Sipas këtij raporti, korrupsioni mbetet një çështje serioze në Shqipëri dhe përfaqëson një nga pengesat më serioze për të drejtat e njeriut", u shpreh Balla, duke shtuar se ky konstatim tregon qartë dështimin e plotë të kësaj qeverie në përballjen me korrupsionin. Në raport, vijoi Balla, krimi shtetëror i Gërdecit adresohet si një përgjegjësi direkte e autoriteteve shtetërore për të garantuar të drejtën e jetës. "Incidenti i Gërdecit ngriti gjithashtu edhe çështje të tjera që lidhen me punën e fëmijëve, legjislacionin e punës dhe të standardeve të sigurisë e shëndetit", vazhdoi më tej ai, gjithmonë duke cituar raportin e "Foreign Office". Zërit të PS-së iu shtua edhe LSI-ja e PSD-ja. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha se "Foreing Office" ka reflektuar në mënyrë reale atë që është problematikja e dështimit të qeverisjes së Sali Berishës në Shqipëri. "Duke përzgjedhur nga konstatimet kryesore të tij, në mënyrë të veçantë korrupsionin, mendoj që korrupsioni nuk është më i rritur në Shqipëri, as edhe galopant, por është një korrupsion shpërthyes", deklaroi Vasili. Ndërsa sekretari për marrëdhëniet me jashtë në PSD nënvizoi se raporti tregoi që reformat e Sali Berishës janë antireforma; që ato nuk bëhen për të forcuar drejtësinë, por për të mbështetur krimin; që nuk synojnë forcimin e institucioneve, por mbështetjen e korrupsionit. Njëkohësisht shqetësimit ë opozitës iu bashkua edhe G99. përfaqësuesi i saj, Ralf Gjoni deklaroi se raporti zyrtar nga Londra nxin dhe një herë tjetër imazhin e Shqipërisë në sytë e botës, duke dënuar korrupsionin që mbetet një problem serioz. "Foreing Office" publikoi dy ditë më parë raportin vjetor që e paraqiti edhe në Parlament. Në pjesën ku flitet për Shqipërinë, përmendet si problem korrupsioni, rasti i Gërdecit, reformat etj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›