E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqja: Privatizimi i INSIG, pa transparencë

Partia Socialiste denoncoi dje mungesën e transparencës në procesin e privatizimit INSIG. Nënsekretari për programin, ILir Beqja, tha se përveç emrit të ofertuesit me ofertën më të lartë dhe çmimit të ofruar nuk ka asnjë informacion tjetër nga ana e Ministrisë së Ekonomisë. "Ky proces po zhvillohet në mungesë të plotë të transparencës", vijoi ai. Beqja nënvizoi se është paaftësia e qeverisë së Sali Berishës që e shtyu 3 vjet privatizimin e INSIG duke bërë që kompania të humbte pozicion në treg apo të kishte në vitin 2007 një fitim neto 14% më të vogël se në vitin 2006, në një kohë që tregu i sigurimeve në Shqipëri ka pasur rritje. "Nëse në vitin 2007 INSIG ishte e treta në tregun e sigurimeve duke zënë 16%, në shkurt 2009 INSIG ka rënë në vendin e gjashtë duke zënë vetëm 7,7% të tregut", deklaroi ai. Në vlerësimin e Beqjes, është bërë tashmë normë që kompanitë publike të pësojnë humbje gjatë procesit të privatizimit. Kështu, sqaroi ai, ndodhi me OSSH-në, që në vitin e privatizimit humbi mbi 40 milionë euro. "Në këto 93 ditë që kanë mbetur i kërkojmë qeverisë së Sali Berishës të bëjë transparent procesin e privatizimit të INSIG, si dhe të mos shpërdorojë pasuritë publike", theksoi Beqja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›