Basha: Ne do ndërtojmë edhe Rrugën e Arbrit
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, mori pjesë dje në Kuvendin e nëntë të kësaj force politike në degën e Peqinit. Ai kritikoi liderin socialist, Edi Rama, i cili, sipas tij, endet nëpër sallat e Shqipërisë pa asnjë alternativë, pasi atë e ka zëvendësuar me një fushatë denigruese shpifjesh dhe mashtrimesh të mirëpaguar me objektiv goditjen e sukseseve të kësaj qeverie. "Është ai që ditën e ardhjes së Presidentit Bush hapi fjalë se shqiptarët i vodhën orën mikut të tyre më të madh, ai që ditën e marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO organizoi mitingun famëkeq kundër saj", konstatoi Basha. Ai, që sipas tij, bërtiti si një i marrë duke u tallur me vdekjen e një njeriu për qëllimet e tij politike, ai që nëpërkëmb çdo kod njerëzor për interesin e tij politik, që nuk ndahet dot asnjë natë nga nata e pafund e së kaluarës së tij. "Vërsulet sot e çdo ditë në salla si kjo, me tërbim mbi të tashmen dhe të ardhmen e një Shqipërie që po ndryshon çdo ditë", u shpreh Basha. Ne që futëm vendin në NATO, tha ai, ne do të heqim vizat për qytetarët shqiptarë, ne do ta fusim vendin në BE. "Ne që ndërtuam veprën shumëshekullore- ëndërr Durrës-Kukës, ne do të ndërtojmë Rrugën e Arbrit, ne do të ndërtojmë edhe rrugën fushore Tiranë- Elbasan, e shumë e shumë vepra të tjera madhore kombëtare", premtoi Basha.