E Hënë, 2 Nëntor 2026

Opozita: Shpërndarja e kartave të identitetit, në një gjendje alarmante

Nga L.Progni

Deputeti socialist, Kastriot Islami, shprehu dje shqetësim në lidhje me vonesat në pajisjen e qytetarëve me karta identiteti.

Sipas tij, më pak se tre muaj para zgjedhjeve, situata është alarmante.

Islami ka servirur më pas disa shifra në lidhje me aplikimet dhe pajisjet me karta.

“Sot, më 10 mars, nuk është mbajtur premtimi për të filluar aplikimet në të gjitha Njësitë e Gjendjes Civile;

Sot, më 10 mars, nga 331 Njësi të Gjendjes Civile kanë filluar aplikimet vetëm në 118 njësi, pra vetëm në një të tretën e tyre;

Në 118 njësitë e gjendjes civile, ku ka filluar aplikimi, numri i plotë i votuesve pa pasaportë që duhet të aplikojnë është 543 163;

Ndërkohë që 300159 votues pa pasaportë presin të aplikojnë në dy të tretat e njësive të Gjendjes Civile që ende nuk janë hapur;

Duhet pasur parasysh se deri sot, më 10 mars, janë bërë vetëm 224 817 aplikime;

Dhe është shumë më i vogël numri i atyre që janë pajisur me Kartë Identiteti;

Po ashtu, duhet të kujtoj se kjo shifër është kaq, për shkak të aplikimeve në Tiranë, ku një pjesë e mirë janë edhe votues me pasaportë;

Nga llogaritjet bazuar në të dhënat zyrtare e operative rezulton se numri i votuesve pa pasaportë që ende nuk kanë aplikuar është mbi 700 mijë;

Kjo shifër po vazhdon të rritet, për shkak të rritjes çdo ditë të numrit të votuesve pa pasaportë që nuk janë të përfshirë në listën zyrtare të MB dhe që strukturat po evidentojnë dita-ditës;

Mbeten deri më 26 qershor edhe 77 ditë pune, ndërkohë që ritmi për çdo njësi aplikimi është 30-40 aplikime në ditë”, - tha Islami.

“Shqetësimet kryesore deri tani janë:

Ritmet e ulëta të hapjes së zyrave të aplikimit; me dy të tretat ende të pahapura;

Ngadalësia dhe vonesat në aplikim për shkak të i) mungesës së herëpashershme të energjisë elektrike, ii) të ndërprerjeve të lidhjes me internet, iii) të mos-trajnimit në kohë të operatorëve në disa njësi; iv) dhe mosrespektimit të orarit veçanërisht në disa prej bashkive jo-kryesore si dhe të v) faktit që oraret e aplikimit janë të papërshtatshme për votuesit që janë në punë, si dhe studentët, sepse një pjesë e mirë e zyrave janë të mbyllura pas orës 15 dhe nuk punojnë të shtunë e të diel.

Duke përfunduar, ju siguroj për seriozitetin e ndjekjes së këtij problemi nga ana jonë. Shumë shpejt do të ketë një analizë të thellë e të plotë së bashku me qëndrimet përkatëse në mënyrë që zgjedhjet të zhvillohen në respekt të drejtës kushtetuese për votim dhe të kërkesave të Kodit Zgjedhor”, - përfundoi deklaratën deputeti socialist.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›