Sot votimi për shkarkimin e Pangos
Parlamenti do të votojë sot dy dekretet e Presidentit Bamir Topi për shkarkimin e ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango dhe emërimin në vend të tij të ish kreut të Bashkisë së Elbasanit, Ardian Turku. Kreu i shtetit firmosi vetëm dy ditë më parë propozimin e Kryeministrit Berisha për emërimin e Turkut në vendin e mbetur bosh pas skandalit të një jave më parë. Ylli Pango u shkarkua nga kreu i qeverisë vetëm katër minuta pasi në emisionin “Fiks Fare” u transmetua një video, ku ish-ministri kërkonte favore seksuale në këmbim të futjes në punë të një aplikante. Emisioni shkaktoi reagim të ashpër si nga opozita ashtu dhe brenda maxhorancës, e cila i kërkoi ish-ministrit të saj të dorëzojë imunitetin. Por Pango, i mandatuar si deputet në zonën 38 në 3 korrik, deklaroi se nuk do ta lërë mandatin e deputetit.