Kriza ekonomike bën që të ardhurat në dy muaj të bien me 41 milionë dollarë
Rënia e ekonomisë e shoqëruar me rënien e fuqisë taksapaguese të biznesit dhe të popullatës ka bërë që në arkën e shtetit gjatë dy muajve të këtij viti të mungojnë rreth 41 milionë dollarë të ardhura. Mosrealizimet më domethënëse janë në zërat e të ardhurave që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me konsumin, siç janë të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar dhe të ardhurat nga akcizat. Në fakt, të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar dhe ato nga akciza janë zërat bazë të të ardhurave në buxhet e për pasojë në rast mosrealizimesh këto mund të preken të parat, por niveli i mosrealizimit është i lartë në këta zëra dhe tregon më së shumti rënie të shitjeve dhe të konsumit. Saktësisht, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave në muajin janar nga tatimi mbi vlerën e shtuar ka patur mosrealizim të ardhurash me pak më shumë se 10 milionë dollarë dhe në muajin shkurt ky mosrealizim ka qenë me 11,6 milionë dollarë. Të ardhurat nga akciza gjatë muajit janar dërguan në arkën e shtetit më shumë se 3 milionë e gjysmë dollarë më pak sesa plani, ndërkohë që gjatë muajit shkurt të ardhurat nga akciza patën mosrealizim me 4 milionë dollarë. Edhe të ardhurat nga tatimi mbi fitimin apo nga zëra të tjerë kanë pësuar mosrealizim të planit duke dëshmuar se deficiti buxhetor në vend është duke u vënë në pozitë të vështirë. Shpenzimet qeveria i ka realizuar plotësisht dhe në disa zëra i ka tejkaluar ato. Mosrealizimi i planit të të ardhurave është një problem që është shfaqur në Shqipëri që prej nëntorit të vitit të kaluar dhe ka konfirmuar atë që Fondi Monetar Ndërkombëtar tha në raportin e fundit të verës së shkuar se fuqia taksapaguese në Shqipëri është duke rënë. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar që hartimi i planit të të ardhurave të marrë parasysh këtë gjë, ndërkohë që qeveria u zotua se ajo do t’i realizojë të ardhurat. Në fakt, muajt e parë dëshmojnë pamundësinë e realizimit të të ardhurave. Administrata e doganave i kërkoi Ministrisë së Financave disa javë më parë uljen e planit të të ardhurave për shkak të rënies së importeve dhe të pamundësisë për ta realizuar atë. Ministria e Financave nuk pranoi dhe tashmë ajo thjesht duhet të mendojë se si të mbulojë deficitin në thellim të buxhetit. Kriza ekonomike është arsyeja e vetme e mosrealizimit, pa përjashtuar këtu edhe problemet e administratës së tatimeve dhe të doganave, të cilat megjithatë janë shumë pak të ndjeshme në mosrealizimin e të ardhurave. Mosrealizimi nuk është pasojë e ndonjë uljeje të ritmit të punës në administratë. Administrata vazhdon të punojë si edhe më herët, kur ajo i realizonte e madje i tejkalonte planet. Qeveria zyrtarisht nuk ka bërë publike asnjë shifër të mosrealizimit e kjo është një tjetër dëshmi e faktit që qeveria ndjehet keq me realizimin e planeve të të ardhurave.