E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimi që po i paguan e djathta kulturës politike të Berishës

Nga Mero Baze

Sondazhi i dytë i kompanisë prestigjioze amerikane, “Zogby International”, konfirmoi tendencën e fitores së të majtës në Shqipëri. Tendenca e fitores është e qartë, nëse votuesit e pavendosur i ndan në proporcion me pëlqyeshmërinë që ata kanë në raport me dy partitë dhe dy liderët, ndërkohë që PD plus aleatët e saj nuk e arrijnë dot së bashku Partisë Socialiste. Nga gjithë parametrat e sondazhit bie në sy se e majta shqiptare ka fat dhe vlerë të saj diversitetin dhe copëzimin, kurse e djathta ka fatkeqësi personalizimin dhe unifikimin vetëm brenda votave të PD dhe Sali Berishës. Rikthimi i Berishës te kultura politike e pjesës së parë të viteve ‘90 dhe injorimi real i hapjes së PD dhe kultivimit të një debati politik real, ka bërë që ai të faktorizohet si lideri i vetëm dhe të shkatërrojë gjithë frymën kritike dhe alternativat, qoftë dhe të moderuara rreth tij. Dështimi real i hapjes së PD dhe vigjilenca e tij për të mos afruar askënd në korridoret e PD pas fitores në zgjedhjet e vitit 2005, po i kushton tashmë shtrenjtë forcës më të madhe politike në vend, duke e çuar drejt humbjes së pushtetit, dhe riforcimit të pozitave personale të Berishës.

“Garantët” e frymës demokratike të vitit 2005, që iu bashkuan Berishës në koalicion, tashmë janë asgjësuar. “Të kapur” nga rrjeta e pushtetit korruptiv, ata tashmë kanë hequr dorë nga aspiratat e tyre politike dhe rregullat demokratike që kërkonin brenda PD, ndërsa mbështetësit autoktonë të Berishës janë zbuar prej tij, për shkak të mospajtimit me frymën e personalizimit të pushtetit. Zëra autoritarë, por dhe të besueshëm në kritikat e tyre, si Mustafaj apo Zogaj, tashmë janë në oborrin e jashtëm të PD, ndërsa një tufë servilësh pa asnjë vlerë dhe shpesh qesharakë përbëjnë garniturën e re të pushtetit, i cili duket se ka humbur tërësisht besueshmërinë te publiku. Plangprishësit e vjetër të Berishës, Ruli dhe Pollo, iu gëzohen tenderëve dhe licencave, Neritan Ceka makinës së re të Kuvendit dhe ndonjë rroge për djalin, Arben Imami paradhomës së heshtur të kryeministrit, dhe korridoret e PD i gëzohen një njeriu qesharak që është sinonimi i partisë së sotme në pushtet… Flamurit. Aleatët formalë të PD duket se janë fshirë tërësisht nga harta elektorale. Gjurma një përqindëshe që lë Partia Republikane, jo vetëm që do të fshihet në fushatë, por do të fshijë dhe shumë vota të tjera të PD, nëse Berisha merr në krah njeriun që është përgjegjës për 26 të vrarë dhe qindra të plagosur për shkak të një biznesi të papërgjegjshëm me djalin e tij.

Ky sfond politik, i shkatërruar nga përpjekja për të zhdukur frymën që e ktheu Berishën në pushtet, do të jetë një hakmarrje e rëndë për të. Do të ketë njerëz të zhgënjyer, që s’gjetën dot një punë, të tjerë që nuk fituan dot lirinë ekonomike, do ketë të zhgënjyer që nuk fituan më shumë lekë, por mbi të gjithë do jetë një shtresë qytetarësh shqiptarë që nuk kanë pritur nga Berisha as tenderë, as pará, as punë dhe ullinj falas, por rregulla loje demokratike brenda PD dhe rrotull saj. Ata s’do t’ia falin kurrë. Spektri politik që vizaton sondazhi i djeshëm i “Zogby” dëshmon qartë për shkretëtirën politike rrotull PD dhe pamundësinë e saj për të fituar zgjedhjet duke e personalizuar pushtetin te Berisha dhe duke zhdukur çdo identitet politik rrotull saj.

Llogaritë e Berishës, se do të fitojë për shkak të ndarjes së të majtës dhe unitetit të së djathtës, po provohen qartë që janë broçkulla që e djathta do t’i paguajë shtrenjtë. Debati brenda së majtës po rezulton se është kthyer në vlerë, dhe shumica e shqiptarëve po e shikojnë atë si një rrugëzgjidhje më të mirë se hermetizimi i së djathtës dhe personalizimi i pushtetit te Berisha njësoj si në vitet 1992-1996. Por, në ndryshim me atë periudhë, tashmë përqendrimi te Berisha nuk nënkupton as pushtetin e SHIK, as të policisë, por pushtetin e familjes së tij, e cila kontrollon çdo vendimmarrje në pushtet, çdo liri ekonomike në vend dhe çdo shans për punësim brenda administratës së lartë. Duke qenë kaq despotik dhe i neveritshëm ky pushtet, shqiptarët po i drejtohen së majtës, jo për merita të saj, por për shkak të shanseve zero që kanë për integrim tek e djathta, nëse nuk njohin djalin, vajzën ose Lulin. Dhe ky është një dëm i ri që po i bëhet Shqipërisë, pasi Edi Rama po vjen në pushtet pa na dhënë asnjë garanci personale dhe politike, pa na dhënë asnjë shans për një shoqëri të lirë, përveç premtimit qiellor “mbi të majtën dhe të djathtën”. Dhe ky është dëmi i dytë i madh që po na bën Sali Berisha, pasi shkatërroi, jo vetëm shanset e debatit politik brenda së djathtës dhe krijimin brenda saj të identiteteve politike, por e bëri të panevojshme dhe konkurrencën me kundërshtarin e tij, duke e sjellë atë në pushtet pa asnjë lodhje për të menduar si të na mbushë mendjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›