E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita: Situata në vend e rënduar, protesta të largojmë qeverinë

TIRANE-Opozita e Bashkuar vendosi sot që të rinisë protestat masive në vend me synim largimin e qeverisë Berisha nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme.
.
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama mblodhi sot aleatët e PS me qëllim diskutimin e situatës politike në vend. Një ditë pas jehonës së video-përgjimit Meta-Prifti, dhe një ditë para Asamblesë Kombëtare të PS, Rama takoi aletatët, si Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Prec Zogaj, Ervin Mete, e Petro Koci, të cilët i janë përgjigjur thirrjes se kreut socialist.
Pas takimit të PS me aleatet e majta, në emër të Opozitës së Bashkuar, Spartak Ngjela bëri të ditur për mediat sot se partitë e majta vlerësuan se situata aktuale në vend është tepër e rëndë dhe se kjo është e papranueshme. Ngjela theksoi se videoja e përgjimit të Metës është fytyra e vërtetë e qeverisë aktuale që qeveris vendin.
për këto arsye, theksoi Ngjela, opozita do të rifillojë protestat masive në popull për largimin e qeverisë.
Në emër të Opozitës së Bashkuar, Ngjela vuri në dukje se të nevojshme janë dhe zgjedhjet e parakohshme, te cilat do te largojne nepermjet votes qeverine qe ka vendosur sistemin diktatorial ne vend.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›