E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronësia e ish-uzinës “Dinamo”, METE konflikt me Bashkinë e Tiranës

Ministria e Ekonomisë pretendon se toka u takon ish-pronarëve. Bashkia e Tiranës ka në plan që të ndërtojë një shkollë

Ervin KOÇI

Trualli i ish-uzinës “Dinamo e Re” në kryeqytet është kthyer në mollë sherri mes Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Kjo e fundit pretendon se Bashkia e Tiranës po abuzon me faktin se në këtë vend do të ndërtohet një shkollë e re. Sipas METE-s, hapësira e truallit të kësaj ish-uzine do të përdoret për kompensimin e ish-pronarëve dhe nuk duhet të përdoret për ndërtimin e shkollës. "Kthimi i pronës te pronari i ligjshëm është detyrim kushtetues dhe është përparësi e qeverisë. Në këtë kontekst, dosja e plotë për terrenin dhe objektet e ish-uzinës "Dinamo e Re" është dërguar për shitje në Ministrinë e Financave në korrik të vitit 2008, ndërsa kërkesa e Bashkisë së Tiranës ka ardhur 4 muaj më vonë", - sqarohet në një njoftim zyrtar të Ministrisë së Ekonomisë. Sipas METE-s, në përgjigjen dërguar disa javë më parë Bashkisë së Tiranës është shpjeguar se ky objekt ka hyrë në procedurë shitjeje dhe nuk mund të kthehet mbrapsht, pasi e drejta e pronës është e drejtë parësore.

Konflikti

Sipas zëdhënëses së METE-s, Iva Tiço, “pjesa e tokës tek e cila do të ndërtohet shkolla do të përdoret për kompensimin e ish-pronarëve dhe se ajo ndodhet në procedurë shitjeje”. Më tej ajo ka thënë se kryeqyteti ka nevojë urgjente për shkolla të reja, dhe jo për ndërtim pallatesh. "Z. Rama po manipulon qytetarët e Bregut të Lumit në emër të shkollës, duke e njohur fare mirë çështjen dhe pamundësinë për të proceduar më tej", - vihet në dukje në reagimin e Ministrisë, e cila vlerëson se “Bashkia e Tiranës është rast unikal në Republikën e Shqipërisë, pasi nuk ka bashkëpunuar në asnjë rast me METE-n për kthimin e pronave te pronarët e ligjshëm”. Më tej në njoftimin e METE-s thuhet se "nga 97 kërkesa të dërguara nga METE, z. Rama nuk i është përgjigjur asnjërës prej tyre. Dy ndër këto kërkesa janë edhe ato ku METE i kërkon Bashkisë të shprehet për ndërtimin e dy shkollave në zonën e Porcelanit dhe në atë të Kodër-Kamzës. Ndërtimi i shkollave në ato zona ishte i domosdoshëm, por jo aq fitimprurës dhe nuk hyri në axhendën e Bashkisë”.

Precedentët

Në njoftimin e METE-s denoncohen dhe rastet flagrante kur Bashkia ka ndërhyrë me shpejtësi sa herë që bëhet fjalë për terrene të destinuara për ndërtim apartamentesh, duke mos pyetur për pronarët; apo siç është edhe rasti i terreneve të ish-Kombinatit të Autotraktorëve në Tiranë, ku pronarëve të ligjshëm u është bllokuar procesi i kthimit të pronës duke u bërë presion me anë të ndërtuesve, se nëse ata nuk pranojnë kontratat për ndërtim, prona nuk do t'u kthehet kurrë. “Tirana ka nevojë urgjente për ndërtim shkollash, dhe jo thjesht për ndërtim pallatesh. Por, kryetari i Bashkisë së Tiranës merr në shqyrtim vetëm ato raste kur miqtë e tij ndërtojnë dhe nuk kthen asnjë përgjigje përsa u përket çështjeve me interes për komunitetin, siç janë kthimi i pronës dhe ndërtimi i shkollave. Në këtë pikë, METE-s nuk i ngelet gjë tjetër veçse të propozojë ndërtim pallatesh, sepse vetëm kështu do të ketë mundësi të marrë përgjigje nga kryetari Rama", - thuhet në njoftimin e këtij dikasteri.

10 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›