E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita, akuzë edhe për motrën e deputetes Albana Vokshi

Replikat Reagojnë dy zyrtaret e sulmuara: Asnjë të vërtetë në deklaratat e PS-së

Denoncimi opozitar i korrupsionit të qeverisë ka ofruar dje seancën e radhës. Përmes atyre që i konsideroi si fakte të reja, deputeti socialist i Tiranës, Besnik Baraj, ka zbuluar mekanizmin korruptiv të përdorur nga deputetja Albana Vokshi. “Skema e re për të përfituar në mënyrë abuzive në këtë vend është e thjeshtë: Ajo e familjes Vokshi. Njëra motër këshilltare e Berishës, që mban vendin e Kryeministrit, dhe motra tjetër drejtoreshë e Ministrit të Ekonomisë, që propozon koncesionet, dhe koncesionet i jepen kunatit. Kjo është skema korruptive e Shtetit të Motrave. Mimoza Vokshi drejtoreshë sugjeron, Albana Vokshi këshillon dhe Berisha në karrigen e Kryeministrit firmos për burrin e motrës së vogël Vokshi, pra për bashkëshortin e Albanës”, u shpreh Baraj. Ai ka vijuar kështu me të dhëna të reja akuzën drejtuar deputetes demokrate, Vokshi, e cila sipas PS-së ka përfituar kontrata që në 25 vjet llogaritet të qarkullojnë 4 miliardë dollarë. Në këtë kuadër, Baraj ka bërë thirrje edhe ndaj Kryeministrit Sali Berisha që të bëjë publik qëndrimin e tij rreth këtyre fakteve që nxjerrin në dritë edhe firmën e tij. “Berisha sot bën mirë të mos heshtë, por të flasë. Firmën e ka vënë ai për këto 4 mld dollarë pasuri publike. Berisha sot duhet t’u japë llogari shqiptarëve si ka firmosur pikët bonus, vetëm e vetëm që burri i Albanës të merrte katër koncesione në naftë dhe gaz, po ashtu edhe dy hidrocentrale? Si shpjegohet heshtja e Berishës kur çdo ditë e më shumë po vërtetohen thyerjet e rekordeve të korrupsionit nga njerëzit e oborrit të tij?”, tha ai. Përveç denoncimit, deputeti socialist ka theksuar se situata korruptive e krijuar me çështjet Vokshi e Prifti do të zgjidhet nga PS përmes nulizimit të marrëveshjeve. “Nëse sot organet e drejtësisë janë të sunduar dhe të gjunjëzuar nga shteti i motrave e nuk hetojnë e japin llogari për çështjet ‘Vokshi’ e ‘Prifti’, nesër qytetarët shqiptarë të jenë të bindur se çdo koncesion e privatizim korruptiv do të zhbëhet”, tha Baraj. Pas deklaratave të socialistëve kanë reaguar dy personat e akuzuar, përkatësisht Albana dhe Mimoza Vokshi, në deklarata të ndara. Në qëndrimin e tyre theksohet se ato nuk kanë asnjë lidhje me koncesionet e dhëna dhe bëjnë thirrje për hetime të plota mbi akuzat që pretendon opozita. Mimoza dhe Albana Vokshi akuzojnë socialistët se po bëjnë politikë me shpifje të ulëta dhe bëjnë të ditur se do t’i drejtohen gjykatës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›