E Diel, 1 Nëntor 2026

U rrëzuan në autostradë, policia dyshoi për autorët

Aksidenti Përplasja e dy të rinjve ka ndodhur në kohën kur po punohej për kapjen e tyre

Gjatë kohës që policia vazhdonte me kryerjen e veprimeve procedurale në bankë dhe uniformat blu në terren kërkonin autorët e dyshuar të grabitjes, një aksident i ndodhur në autostradë ka sjellë dyshime se të plagosurit mund të ishin grabitësit. Kështu janë shprehur në ato momente drejtuesit e hetimeve, ndërkohë që një grup pune është nisur menjëherë për në vendin e ngjarjes. Dy të rinj, duke ecur me shpejtësi me një motor në autostradën Tiranë-Durrës, kanë dalë nga rruga, duke u plagosur rëndë. Ata janë dërguar për në spital, ndërkohë që policia ngriti dyshimet e para se ata mund të ishin grabitësit e bankës. Grupi i punës i dërguar në vendin e ngjarjes ka kryer veprimet e para hetimore në lidhje me këtë rast të aksidentit, por më vonë është mohuar nga shërbimet e policisë se ata mund të jenë personat e dyshuar për grabitjen e bankës NBG. Madje, grupi hetimor tha se i ka identifikuar dy të dyshuarit dhe po punon për kapjen e tyre, duke shtuar që mendohet se janë banorë të zonës dhe që kishin studiuar planin për vjedhjen e bankës. Dy të aksidentuarit ndodhen në Spitalin Ushtarak jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që me vete nuk u janë gjetur para. Pas aksidentit, policia ka vijuar kërkimet më tej, ndërkohë që fotot e të rinjve ua ka kaluar gjithë shërbimeve të komisariateve në Tiranë, me qëllim kapjen sa më shpejt të tyre, si dhe gjetjen e parave të vjedhura në bankë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›