E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita bojkoton parlamentin, konfirmon kyçjen e saj në dosje

Opozita e majtë doli dje nga seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë në momentin e votimit të ligjit për hapjen e dosjeve. Me këtë dalje ajo nga ana tjetër, konfirmoi hyrjen apo qenien e saj si objekt dhe subjekt, tashmë brenda këtyre dosjeve të shumëpërfolura të sigurimit famëkeq të diktaturës komuniste.
E kapur jo vetëm nga kompleksi i autorësisë së institucionalizimit të dosjeve të përndjekjes në vitet e para 1990-s, por edhe nga detyrimi moral për ruajtjen e “personazheve” të këtyre dosjeve, të shndërruar herë herë në posedues të pushtetit dhe herë herë në shërbëtor të tij, opozita, e cila dje më shumë se kurrë ishte shterpë në argumentet e saj, pse nuk duhej miratuar ky ligj, zgjodhi largimin nga salla e Kuvendit.
Në fakt, largimi i djeshëm i opozitës, ishte më tepër një alibi e saj, përballë “personazheve” të dosjeve, të cilëve ju kishte premtuar imunitet, por pa pasur asnjë argument. Dhe për të qenë në rregull, me ata që “do të digjen” tashmë nga hapja e dosjeve, opozita, duke mos pasur më mundësi për të vonuar aprovimin e këtij ligji, zgjodhi të bojkotojë seancën, por duke i vënë damkën vetes, atë të hyrjes së saj “on block” në këto dosje.
Argumenti i vetëm i opozitës, se me hapjen e dosjeve, mazhoranca kërkoi të mbyllë dosjet e “Gërdecit”, “Fazliçit”, apo të “rrugës Durrës – Kukës”, jo vetëm nuk qëndrojnë, por ato nuk i besojnë as artikuluesit e tyre. Nuk i besojnë, sepse me largimin e disa prokurorëve, që opozita i ka më shumë merak nga ç’duhet, ajo e di që nuk mbyllen dosjet apo hetimet e tyre, sepse janë me qindra prokurorë të tjerë, që mund të vazhdojnë me hetimin e mëtejshëm të tyre.
Opozita dhe eksponentë të saj e dinë dhe e kuptojnë se dosjet e djemve e familjarëve të disa prej tyre, u mbyllën bie fjala nga prokurorët Armand Gurakuqi, Dritan Nushi, apo Elio Mazreku, jo sepse u gjet mënyra për t’i larguar këta prokurorë nga hetimi për këto dosje, por se vetë këta prokurorë “gjetën” hapësira ligjore, që për vrasje e plagosje me armë, apo korrupsion, “të mos gjenin” prova, megjithëse në dy prej tri rastet e prokurorëve të sipërpërmendur, kishte viktima..., ndërsa diku mungon milionë lekë.
Por, opozita që deri dje kishte futur “standardet” e saj, se si mund të mbyllet një dosje, tashmë nuk pranon që, bie fjala Zamir Shtylla, një tornitor me shkollë nate, i konvertuar në prokuror me shkollë sigurimi, të mos vazhdojë të keqpërdor këtë “Del Piero”, sikurse ironizonte dje Gëzim Peshkëpia, një viktimë e këtij prokurori.
Dhe çuditë e opozitës, nuk mbarojnë me kaq, kur “i qan hallin”, bie fjala Arben Krajës, pse ky, që dikur të dënonte si prokuror pse quante “shkelje kufiri” arrestimin e të rinjve shkodranë në Vorë, pse ata shkonin në Tiranë me tren… Për këtë thagmë dhe jo vetëm, opozita derdh lot krokodili edhe për këtë prokuror.
Por gjithsesi, pavarësisht dukjes, opozita dhe eksponentët e saj, nuk ia ndjenë as pak për Zamir Shtyllën apo Arben Krajën si emra të përveçëm, larg apo jashtë kontekstit të lidhjeve të mundshme afektive, që këta si prokurorë dhe përfaqësuesve të opozitës si avokatë të këtyre prokurorëve, në qoftë se këta dy, dhe jo vetëm, si emra të përveçëm nuk do të tipizonin, shumë e shumë firmëtarë burgosjesh e dënimesh me vdekje, sikurse bie fjala kanë qenë Kristaq Rama apo Spiro Koleka, për mbi 42 mijë shqiptarë, viktima në mbi 45 vjet të diktaturës komuniste…
Për këtë të vetmin merak, opozita e tërhequr zvarrë në mënyrën më të përdhunshme dje nga Edi Rama, nuk mund t’a pranonte, me gjithë tentativat e saj të dështuara, për ta ndaluar miratimin e ligjit për hapjen e dosjeve…

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›