E Diel, 1 Nëntor 2026

Zamir Shtylla, zgjatim i së kaluarës së neveritshme, çnjerëzore e diktatoriale

Gëzim Peshkëpia, një ish-i burgosur politik konfirmon akuzat ndaj Drejtorit të Hetimeve në Prokurorinë e Përgjithshme dhe kërkon çlirimin e institucioneve shtetërore nga segmentet bashkëpunuese të regjimit enverist

TIRANE - Gëzim Peshkëpia, një ish-i burgsour politik, ka rikonfirmuar dje akuzat për “tortura dhe larje në gjak”, nga Drejtori i Hetimeve në Prokurorinë e Përgjithshme, ish-hetues në kohën e para viteve ’90.
Nëpërmjet një deklarimi për shtyp, Peshkëpia, ka përgënjeshtruar dhe hedhur poshtë sit ë pavërteta pretendimet e djeshme të Zamir Shtyllës, sipas të cilit “nuk kam pasur proces hetimor me z. Gëzim Peshkëpia, dhe pjesëtarë të familjes së tij”.
Nëpërmjet deklarimit ët djeshëm, Peshkëpia sqaronte se, “I detyruar të komunikoj edhe njëherë me opinionin publik për shkak të akuzave të adresuara sot ndaj personit tim nga ana e ish-hetuesit famëkeq të regjimit komunist, Zamir Shtylla, rikonfirmoj atë që kam deklaruar në intervistën dhënë televizionit kombëtar ‘Klan’ në datën 21. 12. 2008. Rikonfirmoj edhe njëherë dëshminë time për hetuesinë çnjerëzore dhe rrahjet barbare që kam pësuar nga hetuesi Kosta Gazeli, duke rikonfirmuar gjithçka kam deklaruar për prokurorin Zamir Shtylla dhe për të gjithë ata persekutorë të tjerë, që me një zell me të madh se vetë linja zyrtare e diktaturës, kanë ushtruar të njëjtat tortura mbi miqtë e mi të burgosur politikë”, ka bërë të ditur dje Peshëkpia.
Duke u ndalur në vërtetësinë e deklaratës s tij, Gëzim Peshkëpia ka hedhur dritë edhe mbi abuzimet dhe të pavërtetat e pretendimeve të Zamir Shtyllës.
“E vetmja gjë abuzive në të gjithë këtë histori, është fakti se sot Shtylla dhe shokët e tij kriminelë e persekutorë, vazhdojnë për fat të keq të jenë aktivë në sistemin e drejtësisë shqiptare, si zgjatime të së kaluarës së neveritshme, çnjerëzore, diktatoriale. E vetmja gjë e pavërtetë në këtë histori, është pretendimi i Shtyllës dhe shokëve të tij, se po u denigrohet figura dhe integriteti personal dhe profesional, cilësi të cilat nuk i kanë pasur kurrë. E vetmja gjë që sot denigron detyrën e Prokurorit dhe besueshmërinë e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, është ekzistenca dhe aktiviteti në të i Zamir Shtyllës dhe i të gjithë persekutorëve të tjerë”, ka përfunduar deklarimin e tij Gëzim Peshkëpia.
Dy ditë më parë, i dënuari politik, Gëzim Peshkopia, gjatë një interviste për Televizionin “Klan”, foli për arsyet pse duhet miratuar projektligji për hapjen e dosjeve. Sipas tij, persona si Zamir Shtylla, që tha se e keqtrajtuan me rrahje dhe gjakosje, nuk duhet të gëzojnë poste të rëndësishme si ai që ka aktualisht, Drejtor i Hetimeve në Prokurorinë e Përgjithshme.
“I kam shkruar një herë një letër të hapur Presidentit të atëhershëm Meidani, për rastin e një Kosta Gazeli, që ka qenë hetues i Ministrisë së Brendshme. Tani shoh, që ai bën pjesë prapë në një institucion jo më pak të rëndësishëm, tek Avokati i Shtetit. Apo për Zamir Shtyllën, i cili konsiderohet sot si "Del Piero" i Shqipërisë, aktualisht është Drejtor i Hetimeve në Prokurorinë e Përgjithshme. Ky, më ka torturuar, me ka larë në gjak dhe unë, ia kam shkruar këto fakte Presidentit në letrën e hapur”, sqaronte Peshkëpia në intervistën televizive.
Gëzim Peshkëpia, ka sqaruar në intervistën televizive edhe historinë e persekutimit të tij familjar.
“Familja ime është një familje intelektuale prej gjashtë brezash. Gjyshi im ka qenë mjek në Vlorë, u internua dhe vdiq. Babai im në vitin 1981, u pushkatua pa gjyq në atë fazën e njohur për hedhjen e bombës. Unë natyrisht kuptohet, që isha me kontingjentin më të paracaktuar për nga burgu politik, ku u dënova me tetë vjet për agjitacion e propagandë. Kam qenë piktor në ndërmarrje, isha në ndërmarrjen e OMD-së. Pas burgut kam punuar si saldator, në pulari, si ruajtës i pulave, aty e kishin armiqtë e klasës vendin. Deri në vitin 1990, ku mori kthesë jeta ime, më mire vonë se kurrë, të paktën fëmijët u rritën në liri dhe demokraci, për të shijuar frytet e kësaj lirie”, ka bërë ët ditur Peshkëpia, midis të tjerave në intervistën e  tij të dy ditëve më parë në Televizionin “Klan”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›