E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, letër Berishës: “Ne nuk qëndrojmë mbi kutitë e korrupsionit elektoral”



Me rrëzimin e nismës së Partisë Socialiste dje në Komisionin Parlamentar të Ligjeve nga maxhoranca për hapjen e kutive, kreu i selisë rozë, Edi Rama, i ka dërguar kryeministrit Sali Berisha një letër të hapur. Rama i bën thirrje kreut të Ekzekutivit të lejojë hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit përmes hapjes së kutive, duke lënë pas përgjithmonë të shkuarën e manipulimit të procesit zgjedhor. Kreu i PS-së i ka bërë të qartë çdo ditë kryeministrit Berisha dhe maxhorancës së tij se 18 marsi është afati i fundit për të lejuar hetimin, por duket se dje në Komisionin e Ligjeve maxhoranca ka vazhduar qëndrimin e saj të kahershëm duke mos lejuar hapjen e kutive, gjë që për të është dhe do të mbetet “thembra e Akilit”.
Letra
Kryesocialisti, në letrën drejtuar kreut të Ekzekutivit, shprehet se do të kishte dashur që Komisioni i Ligjeve të kishte hapur rrugën e zgjidhjes së problemit të rëndë që ekziston jo mes tij dhe kryeministrit Berisha, as dhe mes partive dhe kampeve të tyre politike, por në mes të rrugës që ndan të shkuarën me të ardhmen europiane të Shqipërisë, ku prej 20 vjetësh nuk bëhen zgjedhje të lira, të ndershme, të pakontestueshme, si në çdo vend tjetër europian. “Do të kisha dashur t’ju kisha shtrënguar dorën sot për kurajën, por fatkeqësisht nuk mund t’ju shpreh veçse keqardhje për frikën tuaj nga e vërteta që gjendet në kutitë e zgjedhjeve të 28 qershorit”, - shprehet Rama në letër. Ai theksoi se të gjithë, brenda dhe jashtë vendit, në vigjiljen e 18 marsit dëshirojnë ligjërimin e një marrëveshjeje dinjitoze që i jep vendit drejtimin e daljes nga kriza politike dhe vetë Parlamentit një frymëmarrje të re demokratike. “Këto standarde, absolutisht të papranueshme për një vend anëtar të NATO-s dhe aspirant për Bashkimin Europian, deformuan shumëkund si në Ruzhdie zgjedhjet e 28 qershorit dhe kërcënojnë ta kthejnë në një lojë të paravendosur procesin zgjedhor në Shqipëri”, - thotë Rama. Sipas tij, ky është një kërcënim i patolerueshëm për fatin e demokracisë e të shtetit ligjor në këtë vend, ku një tjetër lojë e paravendosur kundër lirisë së zgjedhjeve që na mbajti 50 vjet larg Europës. Ndërkohë, sipas tij, 20 vjet liri nuk kanë mjaftuar ende për të bërë zgjedhje si në Europë a të paktën si në vendet e tjera të rajonit të trazuar ku jetojmë. Përfshirë edhe Kosovën që, megjithëse vetëm dy vjet shtet, zgjedh lirisht e garanton transparencë për zgjedhësit e saj. “Hetimi që ne kërkojmë nuk ka të bëjë me të shkuarën, por vetëm me të ardhmen, sepse çlirimi i zgjedhjeve të ardhshme nga korrupsioni mund të bëhet vetëm përmes transparencës së zgjedhjeve të shkuara”, - thekson kreu i selisë rozë. Sipas tij, kutitë duhet të hapen jo për të rinumëruar votat, por për të hetuar numërimin në një proces ku sipas vetë OSBE/ODIHR-it në një të tretën e tij numërimi ka qenë i keq dhe shumë i keq. Gjithashtu, shprehet Rama, si edhe në dokumentacionin zgjedhor ku, ashtu si në Ruzhdie, janë bërë në një numër shumë kritik rastesh manipulimi që nuk duhet të përsëriten kurrë më. “Ne sot nuk kemi punë me vendimet e KQZ-së e të Kolegjit Zgjedhor, zoti kryeministër. Ato vendime të formës së prerë kanë vulosur rezultatin dhe ndarjen e mandateve të këtij parlamenti, ku ne nuk kërkojmë asnjë karrige më shumë se ç’na kanë dhënë vendimet në fjalë, megjithëse shumë të padrejta. Po, më anën tjetër, s’ka asnjë dyshim se ne as mund të qëndrojmë mbi kutitë e mbyllura ku është magazinuar mekanizmi i korrupsionit elektoral në pritje për t’u rivënë në lëvizje për deformimin e rezultatit të zgjedhjeve të ardhshme”, - shprehet Rama.
Hetimi
Kreu i selisë rozë thekson se hetimi i mbështetur plotësisht mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë do të përmbushë jo vetëm të drejtën e ligjshme, por edhe detyrimin e PS-së karshi zgjedhësve. Sipas tij, hetimi do të bëhet për të verifikuar zbatimin e legjislacionit gjatë një procesi zgjedhor të dyshimtë e të kontestuar. Gjithashtu, për të identifikuar problemet që duhen zgjidhur për të ardhmen duke propozuar ndryshimet përkatëse ligjore dhe për të hedhur dritë mbi përgjegjësitë eventuale për moszbatimin e ligjeve në fuqi, të cilat, ashtu siç e përcakton ligji për hetimin parlamentar, komisioni hetimor ua çon për ndjekje të mëtejshme organeve të Drejtësisë.

17 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›