E Shtunë, 31 Tetor 2026

Schaake: “Qeveria të nisë një hetim serioz të zgjedhjeve”



Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Europën, dje, në një deklaratë, i bëri thirrje qeverisë që të nisë hetimin e plotë të zgjedhjeve, me qëllim që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme. Ndërkaq, Grupi Parlamentar i ALDE-së ka bërë të qartë se do të mbështesin Shqipërinë dhe Bosnjën për liberalizimin e vizave. “Unë pres që qeveria shqiptare të nisë menjëherë një hetim serioz mbi manipulimet e zgjedhjeve të qershorit 2009 dhe të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar që zgjedhjet e ardhshme të mund të zhvillohen në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare demokratike”, - theksoi zëdhënësja e Grupit Parlamentar të ALDE-së, Marietje Schaake. Zëdhënësja deklaroi se Parlamenti Europian dhe Grupi Parlamentar i ALDE-së ka qenë vazhdimisht i përkushtuar në stabilitetin, demokracinë dhe zhvillimin e Ballkanit Perëndimor. Ajo tha se Grupi Parlamentar mbështet nevojën për të përfshirë Bosnjën dhe Shqipërinë e trajektoren e liberalizimit të vizave. “Qeverisja e mirë dhe demokracia e qëndrueshme janë të domosdoshme për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Pluralizmi politik është çelësi për të ndërtuar shoqëri gjithëpërfshirëse. Unë inkurajoj të gjitha partitë politike në Shqipëri të veprojnë në mbështetje të standardeve europiane”, - u shpreh Scaake. Zëdhënësja e ALDE-së nënvizoi se transparenca është veçanërisht e rëndësishme për të ndërtuar besim në institucionet shqiptare, ndërkohë që institucionet dhe stabiliteti janë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik. Schaake do të krijojë një delegacion ad hoc në emër të Grupit Parlamentar liberal dhe do të kërkojë të vizitojë Shqipërinë përpara përfundimit të sesionit të verës.

17 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›