E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabiten futbollistët në dhomat e zhveshjes

 

SARANDE - Grabitjet po bëhen tema e ditës në qytetin e Sarandës. Viktima të radhës kanë qenë futbollistët e sportklub “Butrinti”. Gjatë kohës që ata ishin duke u stërvitur në orët e pasdites së të shtunës në stadiumin e qytetit, grabitësit kanë hyrë në dhomat e zhveshjes. Në kohën kur kanë përfunduar stërvitjen përpara nisjes për në Korçë, futbollistët dhe stafi drejtues kanë vërejtur mungesën e veshjeve, lekëve që secili kishte nëpër xhepat e tyre, celularëve dhe sendeve të tjera me vlerë, të lëna në dhomat e zhveshjes. Menjëherë është njoftuar policia, forcat e së cilës mbërritën në vendngjarje dhe nisën hetimet. Në pyetje u morën punëtorët e fushës, futbollistët dhe stafi drejtues, të cilët bënë edhe kallëzimet për sendet përkatëse. Nuk dihet ende se si grabitësit, që mendohet se kanë qenë të paktën dy, kanë mundur të hyjnë pa u vënë re, në mjediset e dhomave të zhveshjes. Ngjarja ka ndodhur vetëm 50 metra larg pallatit ku dy maska të armatosura grabitën me dhunë e kanosje familjen e biznesmenit Edmond Shalari javën e shkuar. Në lidhje me këtë të fundit, policia ka ndërtuar edhe skemën e ngjarjes, ndërkohë që mësohet se grabitësit kanë vepruar si profesionistë, duke përdorur një armë zjarri pistoletë e një pistoletë neuroparalizuese. Dy vjedhjet e fundit të ndodhura në zonën e ish-markatos në lagjen nr.4, e njohur si zona e drogës, vjedhjeve dhe shpërthimeve të eksplozivit, mbeten ende pa autor.                                      sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›