E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bizneset peticion qeverisë: Të hiqet çmimi i referencës

 

DURRES/ OERD ULQINI
Biznesi importues durrsak i bën peticion qeverisë, ku kërkon heqjen e çmimeve të referencave në dogana.
Lajmi bëhet i ditur nga kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Durrësit, Andrea Xhovara, sipas të cilit afro 400 biznese importuese ndodhen “një hap larg greminës”. Çmimi i referencës shkakton rritje 30-40% të TVSH-së për mallin e importuar dhe në këtë mes shteti paguan vetëm 20% TVSH, ndërsa 20%-shit tjetër nuk i njihet biznesit. Për këtë çështje me dhjetëra biznese importuese kanë ngritur edhe padi në gjykatë. Deri në përfundim të gjyqeve, paratë qëndrojnë të bllokuara për një kohë të gjatë. “Ky ngërç shpjegon edhe rritjen artificiale të çmimeve në tregjet vendase të të gjithë atyre mallrave që kanë origjinë importin dhe zënë më shumë se 70% në tregun e brendshëm në vendin tonë”, argumentoi Xhovara. Pikërisht kjo çështje duket se ka sjellë edhe përplasje midis Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Durrësit me doganat. Përmes një deklarate, kreu i biznesit në Durrës Andrea Xhovara shpreh shqetësimin e sipërmarrjeve importuese, përsa i përket çmimit të referencës, i cili nuk ekziston në asnjë vend tjetër të Rajonit, përveç se në vendin tonë. “Kur bizneset kërkojnë që këto fatura të verifikohen me shtetet dhe doganat nga të cilat kanë kaluar, ky kontroll nuk bëhet por doganat mbështeten në një informacion referencash të miratuar nga drejtoria e përgjithshme e tyre. Rezultati është negativ për biznesin sepse gjithmonë mbetet që biznesi të kreditojë shtetin me të ardhura që shkojnë deri në 20 milionë lekë çdo vit në TVSH, të cilat nuk njihen nga Tatim Taksat”, pohon ai. “Çmimet e referencave mes të tjerave lënë vend edhe për korrupsion dhe klientelizëm, pasi për të njëjtin mall kanë shpeshherë vlefta të ndryshme”. Ekonomia shqiptare importon përmes portit të Durrësit, pjesën më të madhe të mallrave për domosdoshmëritë e vendit. Kjo kategori biznesi, e cila numëron më shumë se 400 importues, blen nga tregjet botërore të gjitha ato mallra, të cilat sipërmarrjet shqiptare nuk mund t’i ofrojnë.

Ndryshimet klimatike rrezikojnë lagunat
Ndryshimet klimatike globale rrezikojnë seriozisht lagunat në vend. Laguna e Ishull Lezhë, ajo e Karavastasë dhe Laguna e Patokut, kërcënohen nga erozioni i detit, zhdukja e bimësisë dhe shpendëve në to, duke përbërë një rrezik serioz dhe për biodiversitetin e këtyre zonave. Për të kuptuar më mirë se ç’po ndodh realisht me këto ndryshime, mund të sjellim një fakt që ka të bëjë me zonën e Shëngjinit dhe Ishull Lezhës. Në këtë zonë, deti ka avancuar me rreth 120 metra në drejtim të tokës, ndërsa vetëm javët e fundit, fuqia e dallgëve për shkak të ndryshimit të stinës, ka sjellë shkatërrimin e rrugës që përshkon zonën Kume—Vain, duke rrëzuar në tokë pisha qindra vjeçare. Se sa kanë ndikuar ndryshimet klimaterike, por dhe ndërhyrjet e njeriut në këtë zonë, mjafton të përmendim faktin se para viteve ’90 në këtë zonë numëroheshin rreth 50 mijë shpendë, 196 lloje shpendësh të ujit, ndër më të rrallët në botë, 22 çifte pelikanësh, të cilët nuk rikthehen më në këtë zonë, ndërsa sot, numri i shpendëve nuk e kalon shifrën e 2000 të tillëve. Përveç ndryshimeve klimatike dhe mungesës së kujdesit për këtë zonë pas viteve ’90, një faktor shumë i rëndësishëm i rrallimit të shpendëve është dhe gjuetia me leje e pa leje në këtë zonë, dhe nga shoqata të huaja gjuetarësh. Por ndryshimet klimatike, rritja e temperaturës globale me rreth 4 gradë celsius deri në fund të këtij shekull, rritja e nivelit të detit me rreth 50 cm dhe dukuritë natyrore ekstreme si përmbytjet apo thatësirat, përbëjnë një rrezik të vazhdueshëm jo vetëm për gjallesat në këto zona. Për të bërë të mundur një gjë të tillë, një projekt i Programit për Ndryshimet Klimatike i PNUD, synon krijimin e një mekanizmi, përmes të cilit të shtohen, përmirësohen dhe zbatohen ato strategji që zbusin, përshtatin apo përfitojnë nga pasojat e ndryshimeve të klimës. Duhet theksuar se deri më sot nuk janë marrë në konsideratë ndikimet, qoftë dhe ato aktuale të klimës dhe ngjarjeve ekstreme të saj. Me kërkesë të qeverisë shqiptare, Global Environment Facility ka koordinuar fondin përkatës për projektin “Identifikimi dhe zbatimi i masave për adaptimin e zonës ndërmjet derdhjeve të lumenjve Drin dhe Mat”. Ky projekt pilot do të realizojë zhvillimin e kapaciteteve teknike dhe institucionale, inicimin e masave për adaptim, si restaurim të dunave bregdetare, modifikim dhe zgjerim të rrjetit të zonave të mbrojtura, apo dhe masa të tjera adaptimi në terren.                   a.l

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›